BE, Samit për Iranin, Ukrainën dhe Energjinë, disa shtete kundërshtojnë ndërhyrjen në Teheran

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të mbajnë një samit në Bruksel të enjten për të diskutuar mbi situatën me Iranin, çmimet e energjisë, migracionin, si dhe një kredi të madhe për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, e cila po pengohet nga Hungaria.
Diskutimet zhvillohen në një klimë të tensionuar, ndërsa disa vende kanë refuzuar kërkesën e Presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar forca ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin global me energji.
Rritja e çmimeve dhe frika për një valë të re refugjatësh kanë shtyrë liderët europianë ta vendosin Lindjen e Mesme në krye të agjendës.
Komisioni Europian ka propozuar një paketë masash për të ulur kostot e energjisë, duke pranuar se nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjitha vendet e unionit.
Ndërkohë, përplasjet politike brenda BE-së mbeten të forta, veçanërisht mes Hungarisë dhe pjesës tjetër të vendeve anëtare.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka bllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e miratuar më herët nga liderët europianë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quan këtë bllokim të padrejtë dhe thekson se vendi i tij nuk ka alternativë tjetër përveç kësaj ndihme.
Samiti i fundit i BE-së u mbajt në dhjetor në një kështjellë belge, ku udhëheqësit, përfshirë Orbán, ranë dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh (104 miliardë dollarë) për Ukrainën, si ndihmë për të kapërcyer deficitin buxhetor në vend, ndërsa ky vend përballet me një luftë të ashpër me Rusinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



