Begaj pret ambasadorët austriakë: Shqiptarët në rajon, besnikë të vlerave euroatlantike

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj, mirëpriti sot ambasadorët austriakë që shërbejnë si të tillë në shtetet e Ballkanit së bashku me përfaqësues të trupës drejtuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Në takim u diskutuan marrëdhëniet shqiptaro-austriake, bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet e rajonit dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Austria ka dhënë ndaj Shqipërisë në momentet kyçe të historisë, përfshirë dhe ndihmën në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke folur për raportet e fqinjësisë së mirë në rajon, Presidenti Begaj theksoi se për forcimin e dialogut Austria ka luajtur rolin e saj me ngritjen e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ndërsa solli në vëmendje kontributin e faktorit shqiptar në stabilitetin politik, paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. “Shqiptarët në rajon  kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pro integrimeve Euroatlantike dhe unë jam krenarë që shpirti pro euroatlantik i tyre nuk është lëkundur asnjëherë. Siç e tregojnë edhe sondazhet e fundit shqiptarët në rajon janë më besnikët ndaj vlerave euroatantike”, tha Presidenti.

Kreu i Shtetit në bashkëbisedimin me ambasadorët e Austrisë u shpreh se aktorët e tretë në rajon synojnë frenimin e së ardhmes Euroatlantike të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet sulmeve kibernetike apo desinformacionit.

“Shqipëria është e vendosur në qëndrimet e saj  ndaj tyre dhe se popujt e Ballkanit kanë një moment mundësie historike në kuadrin e integrimit Euroatlantik që duhet ta shfrytëzojnë në dobi të së ardhmes së tyre e begatimit të jetës së qytetarëve të tyre. Një rajon i sigurt dhe politikisht i qëndrueshëm që diskuton dhe dialogon me njëri-tjetrin, që zhvillon lidhjet e duhura ekonomike brenda vetes, Bashkimit Evropian dhe pjesës tjetër të botës, i shërben interesave kombëtare të Shqipërisë dhe është, gjithashtu, në interes të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Begaj.

Rol stabilizues në këtë drejtim luajnë dhe nismat ndër rajonale, përmes të cilave shtetet e bllokut ballkanik janë të angazhuara të përmbushin integrimin e plotë Euroatlantik, si e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme