Berisha: Do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, si dhe pagat e mjekëve dhe infermierëve

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e Njësisë 4 në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë.

Sipas tij, shqiptarët në 1 vit, shpenzojnë për ilaçe, 4 herë më shumë se për bukën.

“Kjo do të marrë fund. Jo vetëm kaq. Kjo shumë është e pamjaftueshme për ilaçet, ndaj të gjithë rrogëultit dhe rrogë nën 500 euro nuk do të ketë. Të gjithë rrogëultit, të gjithë pensionistët do të kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin gjërat bazë, ushqimet me 20% më lirë se të tjerët.”, tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria do të adaptojë pikë për pikë listën e ilaçeve të Republikës Italiane dhe do e rimbursojë atë 100% për qytetarët e vet.

“Në këtë mënyrë ne i japim një përgjigje dinjitoze problemit të mjekimit, të kujdesit për shëndetin. Dy shërbime themelore për çdo komb, arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar në mënyrën më të papranueshme. Janë rrokullisur gjer në pothuajse shpartallim. Në rast se i hedh sytë sistemit të shëndetësisë, është një sistem jashtëzakonisht problematik. Është një sistem në të cilin të sëmurët rëndë në spitale, i merr sëmundja se nuk kanë ilaçe për mjekim. Është një sistem në të cilin, një i sëmurë që shfaqet një shqetësim, duhet të presë muaj  e muaj të tërë për të bërë skanerin, apo rezonancën. Është një sistem në të cilin mjekimi, është gjysmak, ose ai që nuk duhet. Ju e keni ndjekur dramën e tmerrshme që zhvillohet në spitalin onkologjik. Në asnjë vend të botës nuk ndodh ajo.”, tha Berisha.

Sipas tij, tre muaj më parë Edi Rama deklaroi se, te Onkologjiki, po ndodhin krime kundër njerëzimit.

“Me të vërtetë po. Në të vërtetë është krim i mirëfilltë kundër njerëzimit, në qoftë se të sëmurin që e ke marrë për mjekim e mban dhe nuk i jep ilaçet që duhen për të luftuar sëmundjen. Ky është krim. Por Edi Rama nga ajo ditë gjer sot nuk mori as edhe një masë të vetme. Pse? Sepse ai është autori i atij krimi. Sepse atyre ilaçeve që duhet të bliheshin për të sëmurët, drejtori dhe ministri i vjedhin fondet dhe kjo është arsyeja. Hanë dardha dhe i ndajnë bashkë me kryeministrin. Kjo situatë dramatike e kujdesit shëndetësor për shqiptarët, merr fund. Ne do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe garantoj çdo shqiptar se në territorin e Shqipërisë nuk do të shitet kurrë ilaç cilësie tjetër, vetëm ato që shiten në dy vende të BE. Dhe se kurrë nuk do mungojnë ilaçet jetike për trajtimin e të sëmurëve tanë.”, tha Berisha.

Ai premtoi dyfishim të rrogave të mjekëve dhe infermierëve.

“Aparaturat, do pajiset çdo spital dhe i gjithë sistemi. Statistika zyrtare e qeverisë konfirmon se në 1 vit ju, ne, të gjithë shqiptarët, shpenzojmë nga xhepi për kujdesin shëndetësor, 820 mln euro. Shpenzojmë nga xhepi 3-4 fish që shpenzojnë popujt e vendeve anëtare të BE-së. Shpenzojmë 2-3 fishin e të gjithë popujve në vendet përreth nesh në Ballkan. Pra të shpenzosh 820 mln euro për kujdes shëndetësor, a e dini që do të thotë se shqiptarët të cilët në 1 vit, shpenzojnë për bukën në total 220 mln euro, pra shpenzojnë ilaçe 4 herë më shumë se për bukën. Kush i shpenzon këto? Vetëm ata që kanë. Ata që nuk kanë mbeten në mëshirë të sëmundjeve. Pra kjo është situata e shëndetësisë”,  tha Berisha.

/rtsh.al/




Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme