Berisha: Parlamenti, institucion privat i Edi Ramës. Mandati nuk dorëzohet rrugëve

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj legjislaturës së re parlamentare, duke e cilësuar atë si “ditën më të zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar”.
Në një prononcim për mediat, të mbajtur jashtë mjediseve të Kuvendit, Berisha theksoi se parlamenti aktual është thjesht “një institucion privat i Ramaduros dhe klaneve të drogës”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkelje të rënda kushtetuese në lidhje me menaxhimin e mandateve të deputetëve.
Më tej Berisha deklaroi se “ne e konsiderojmë absolutisht të paligjshëm këtë parlament, dhe beteja jonë nuk falet gjer në ditën e fitores tonë mbi të”, ndërsa vuri në dukje se hyrja e tij në Kuvend nuk do të thotë pranim i legjitimitetit të tij, por një hap i domosdoshëm në betejën politike kundër asaj që ai e quajti “shkelmim me dy këmbë të Kushtetutës”.
Në qendër të kritikave të Berishës ishte mënyra, sipas tij, sesi qeveria ka trajtuar dorëzimin e mandateve nga disa deputetë, duke e bërë atë jashtë institucionit parlamentar.
“Mandati nuk dorëzohet rrugëve. Kjo tregoi se parlamenti është thjesht një institucion privat i Ramaduros dhe klaneve të drogës”, tha deklaroi Berisha.
Ai shpjegoi se çdo deputet i zgjedhur është i detyruar me ligj, Kushtetutë dhe rregullore të kryejë betimin në parlament para se të dorëzojë mandatin.
“Kurrë pazaret me mandatin nuk bëhen rrugëve. Çdo i zgjedhur në ato lista, është i detyruar me ligj, me kushtetutë, me rregullore, të vijë të bëjë betimin dhe pastaj është i lirë të dorëzojë mandatin,” theksoi Berisha.
“Ata nuk kanë ligj, nuk kanë rregullore, nuk kanë kushtetutë, këta kanë vetëm drogë dhe para, para dhe drogë. Kjo është historia e tyre”, akuzoi ai.
Berisha nuk u ndal vetëm te procedurat, por e zgjeroi kritikën te natyra e të gjithë parlamentit.
“Sot çelet parlamenti duke shkelmuar kushtetutën, duke shkelmuar parimet themelore të saj, mbi mandatet”, deklaroi ai, duke e quajtur sesionin e sotëm “ditën më të zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




