Berisha për Ramën: Po i rrokulliset pushteti, bën deklarata të dënueshme

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Konferencën për shtyp të së martës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e nisi me një konstatim për kundërshtarin e tij politik.

“Edi Rama po rrokulliset. Kjo është e vërteta. Për të lexuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve, mjafton të shohësh ekuilibrat e Edi Ramës. I aftë të shkelë çdo ligj dhe të bëjë çdo gjë për votë, por i pashpresë nga verdikti i shqiptarëve,” u shpreh z. Berisha.

Kryedemokrati iu referua deklaratave të kryeministrit në fushatë, të cilat sipas tij janë të dënueshme, aq më tepër kur z. Rama u referohet çrregullimeve të caktuara shëndetësore.

“Ky është një superskandal. Të përdorësh ti një çrregullim, prapa të cilit qëndron një heroizëm i pazakonshëm i fëmijëve dhe prindërve, në qoftë se ka një çrregullim ku një nënë është më heroinë se çdo nënë tjetër me përpjekjen e saj, është nëna e një fëmije me këtë çrregullim. Dhe fëmija vetë që jo në pak raste duhet t’i kapë fjalët një nga një, duhet t’i përvetësojë fjalët një nga një. Dhe ky del me këtë frazë, tregon se është turp të quhet prind ky. Është turp të quhet bashkëshort ky,” deklaroi kreu i demokratëve.

Për Berishën, një dorë në prishjen e ekuilibrave të Ramës duket se ka dhënë edhe strategu i tij, Chris LaCivita.

“Tani, e vërteta është që makthi i tij është pikërisht Chris LaCivita. Unë u thashë, atë gjumi nuk e zë. Ai shkallmoi komplet pas shfaqjes së Chris në krah të Sali Berishës. Me Chris dhe gjithë ekipin e tij jemi në lidhje nonstop këtu dhe online. Ndaj dhe i thuaj mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët,” tha kryedemokrati.

Z. Berisha është besimplotë te fitorja e zgjedhjeve, ndërsa moshën e tij e cilëson avantazhuese.

“Njerëzit me shumë të drejtë, presin që të kenë lider të ri, të jenë të ri, të jenë kështu dhe të jenë ashtu, vetëm një gjë; eksperienca të mëson shumë, thotë latini. Unë nuk dua të them kësaj here eksperienca, por historia të mëson shumë. Në kuptimin e asaj që po të rikthehesh, këtij vendi dëme më të mëdha ja bënë atë që ishin të rinj. Enver Hoxha, Edi Rama. Ata që nuk kishin eksperienca dhe kjo është e vërteta,” u shpreh z. Berisha.

Sa i takon hetimeve për tunelin e Llogorasë, ai nuk e fshehu skepticizmin.

“Ai tuneli i Llogorasë është si puna e Nesti Angonit. Se ja ku e ke, do ti, urdhëro, ke njësinë e mbikëqyrjes. Duhet të raportonte tek ti çdo muaj. Aty, si puna thashë, nuk është tamam si Nesti dhe se aty dora e Ramës është 100 përqind e pazari u bë në Ankara,” tha kryedemokrati.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme