Berisha: Shqipëria po bëhet e pajetueshme, do ringremë një infrastrukturë eficente për mjedis të shëndetshëm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar sot (31 mars) programin e koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore” për pyjet, mjedisin e kullotat. Berisha tha se vendi “po bëhet i pajetueshëm”, teksa premtoi se do të ngrejë infrastrukturë për një mjedis të më të shëndetshëm.
“Paraqitet një program, për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike, pa të cilin Shqipëria çdo ditë e më shumë bëhet një vend i pajetueshëm, çdo ditë e më shumë bëhet një vend i pashëndetshëm. Dua t’u garantoj se qeveria e ardhshme në një aspekt do jetë qeveria më miqësore ndaj mjedisit dhe të gjithë faktorëve që përbëjnë kompleksin e tij. Portofoli i këtyre fushave do të jetë një ndër më të rëndësishmit. Ju siguroj se nuk do lëmë ligj pa miratuar, kriter pa zbatuar, investim pa bërë, që të shënojmë një kthesë rrënjësore në ruajtjen, zhvillimin e mjedisit, e zonave të mbrojtura, e pasurive të tyre të pafundme.
Mbrojtjen nga ndotjet të ajrit, të tokës, të ujërave. Për ne, janë dhe do mbeten përparësi të mëdha. Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët në përputhje me standardet më të mira, të përfitojnë maksimalisht nga pasuritë e pafundme të pyjeve, kodrave, maleve, kullotave të këtij vendi. Të bimëve aromatike, medicinale dhe bimëve të tjera. Do të ringremë një infrastrukturë efiçente me të gjitha institucionet dhe institutet e domosdoshme për të përmbushur këtë mision, për t’i rikthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të begatë natyror”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




