Leku forcon pozitat ndaj euros, ekspertët: Ndikon numri i lartë i turistëve dhe remitancat
Euro ka vijuar të dobësohet ndaj Lekut, duke arritur nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit.
Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, java e kaluar u mbyll me 97.22 lekë për një euro.
Kjo tendencë ka ulur vlerën e të ardhurave për qytetarët që paguhen në euro, ndërsa ka sjellë lehtësim për familjet që shlyejnë kredi në këtë valutë.
“Një prezencë e lartë e euros në vend padyshim që ka çuar në zhvlerësimin e saj dhe kemi arritur në nivelet që nuk i kemi parë më parë. Megjithatë duhet theksuar se vitin e fundit ka qenë relativisht stabël,” thotë Dritan Vakaj, drejtori i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor.
Eksperti rendit një sërë faktorësh që po ndikojnë në raportin mes lekut dhe euros.
“Rritja e turizmit dhe remitancat kanë qenë në nivele të larta. E kombinuar me një tkurrje të shpenzimeve qeveritare, si enti kryesor shpenzues, ka ndikuar në ulen e euros”, tregon ai.
Zgjerimi i sezonit turistik po ndihmon në zbutjen e luhatjeve të forta të monedhës evropiane.
“Prezenca e turistëve në vend është shtrirë gjatë gjithë vitit. Nga të dhënat zyrtare janë tregues të drejtpërdrejtë që tregojnë numrin e lartë të turistëve dhe shpenzimeve dhe konsumit nga ana e tyre,” thekson eksperti.
Rënia e euros sjell përfitime për bizneset që importojnë nga eurozona, duke ulur kostot e tyre. Po ashtu, qeveria dhe institucionet publike lehtësohen, pasi kostoja për shlyerjen e borxheve në euro ulet, duke çliruar fonde për shpenzime të tjera.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




