“Buxheti 2026, Malaj: Pensione më të larta, paga të rritura dhe mbështetje për familjet e fermerët

Ekonomi | 12 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2026 së bashku me projektligjin e “Paqes Fiskale”.

Ai theksoi se kjo nismë nuk është amnisti dhe nuk ofron imunitet për ata që janë nën hetim apo me vendime gjyqësore, por synon korrigjimin e pasqyrave financiare, lehtësimin e barrës tatimore dhe mbështetjen e shtresave në nevojë.

Paqja Fiskale nuk është amnisti

Duke prezantuar projektligjin, Malaj sqaroi se paqja fiskale është një marrëveshje vullnetare për tatimpaguesit, pa falje të përgjegjësive penale. “Ne nuk po ndërmarrim një amnisti. Nëpërmjet ‘Paqes Fiskale’, nuk falim përgjegjësi penale, nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore”, tha ai.

Borxhet më të vjetra se 10 vite do të fshihen, ndërsa për detyrimet 5–10 vite, bizneset do të lirohen nga pagesat e së shkuarës vetëm nëse shlyejnë vitet e fundit. Administrata tatimore do të forcojë masat e mbledhjes së detyrimeve, përfshirë bllokimin e llogarive bankare dhe konfiskimin e aseteve.

Mbështetje për fermerët

Malaj njoftoi se buxheti i vitit 2026 parashikon që 15 milionë euro të mbeten në duart e fermerëve, ndërsa në vitin 2027 kjo shifër do të dyfishohet në 30 milionë euro. “Fermeri do kompensohet me 10 përqind të vlerës së mallit”, theksoi ministri.

Lehtësira për familjet me fëmijë

Nga viti 2026 do të nisë zbatimi i lehtësive në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, përmes Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA). “Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën 18 vjeç do të ketë të drejtën të zbresë 48.000 lekë për çdo fëmijë nga deklarata vjetore e të ardhurave. Kjo ul ndjeshëm normën efektive të tatimit”, shpjegoi Malaj.

Sipas tij, efekti financiar i kësaj nisme pritet të jetë 1.5 miliardë lekë, ose 15 milionë euro, që do të mbeten në buxhetin e familjeve shqiptare.

Pensionet, kryefjala e buxhetit

Ministri e cilësoi rritjen e pensioneve si prioritetin kryesor të qeverisë. “Pensionet janë kryefjala jonë. Ne të gjithë kemi prindër e gjyshër që kanë punuar një jetë për këtë vend. Ata meritojnë më shumë vëmendje dhe dinjitet. Jua kemi borxh!”, tha Malaj.

Nga janari 2026 do të nisë rritja mujore e pensioneve: pensioni urban me vite të plota pune do të shkojë në 40 mijë lekë, pensioni rural në 18 mijë lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 është 10.4 miliardë lekë, ndërsa për periudhën 2026–2030 llogaritet në 1.7 miliardë euro.

Rritja e pagave dhe paga minimale

Malaj njoftoi se projektbuxheti parashikon rritje të pagave për mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët. “Nga 1 janari 2026 paga minimale do të rritet në 50 mijë lekë”, tha ai, duke shtuar se nga kjo masë do të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar.

Parashikimi afatmesëm është që paga minimale të arrijë në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit. “Kjo politikë synon të afrojë Shqipërinë me vendet e rajonit dhe të nxisë produktivitetin”, theksoi ministri.

Indeksimi i pagave në administratë

Një tjetër risi është indeksimi periodik i pagave në administratën publike. “Një tjetër element risi është indeksimi periodik i pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me inflacionin”, tha Malaj.

Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve është 10 miliardë lekë dhe do të përfitojnë mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore.

Rritja ekonomike dhe punësimi

Ministri raportoi mbi ecurinë ekonomike të vendit. “Rritja ekonomike për vitin që po mbyllet parashikohet në 3.9%. Edhe FMN ka theksuar se Shqipëria vazhdon të dallohet si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë”, deklaroi ai.

Papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5%, ndërsa inflacioni është stabilizuar në 2.2%. Investimet e huaja direkte janë rritur me 7%, kryesisht në turizëm, energji dhe telekomunikacion.

Konsolidimi fiskal dhe borxhi publik

Në fund, Malaj u ndal te stabiliteti fiskal. “Financat publike mbeten shtylla kryesore e stabilitetit. Borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së në vitin 2026, nga 54.1% në vitin 2025”, tha ai.

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme

Malaj njoftoi se qytetarët do të kenë mundësi të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme me norma më të ulëta tatimore. “Do të kenë mundësinë ta kryejnë rivlerësimin me një normë të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht”, tha ai.

Kjo reformë synon përafrimin e vlerave me tregun dhe rritjen e transparencës në sektorin e pasurive.

Disiplina e tregtisë online

Në vijim, ministri u ndal te masat për tregtinë elektronike. “Vendosim për herë të parë detyrimin që bizneset online të publikojnë të dhënat identifikuese. Kjo është një masë e drejtë dhe e domosdoshme që i shërben konsumatorëve”, deklaroi Malaj.

Ai shtoi se do të ashpërsohen ndëshkimet për aktivitetet pa regjistrim, si garanci për konkurrencë të ndershme.

Ulja e përdorimit të parasë cash

Malaj prezantoi masa konkrete për formalizimin e transaksioneve. “Hedhim hapa konkretë për ta çuar Shqipërinë në standardet e ekonomive ku transaksionet janë të gjurmueshme, të sigurta dhe të formalizuara”, tha ai.

Paketa përfshin katër masa që synojnë reduktimin e përdorimit të parasë cash në marrëdhëniet biznes–biznes dhe biznes–konsumator.

Mbështetje për kulturën, sportin dhe kërkimin shkencor

Ministri njoftoi zgjerimin e kategorive përfituese nga sponsorizimet. “Parashikojmë që të ardhurat nga sponsorizimet të njihen si të ardhura të përjashtuara nga tatimi”, u shpreh Malaj.

Kjo masë synon të nxisë investimet private në kulturë, sport dhe kërkim shkencor.

Përjashtime nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Në fjalën e tij, Malaj theksoi se investimet publike do të kenë lehtësira të reja. “Propozohet përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për investimet publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale”, tha ai.

Lehtësira për familjet me fëmijë

Në fund, ministri prezantoi masat për familjet me fëmijë nën 18 vjeç. “Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç do të ketë të drejtën të zbresë nga deklarata vjetore e të ardhurave shumën 48.000 lekë për çdo fëmijë”, shpjegoi Malaj.

Efekti financiar i kësaj nisme llogaritet në 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.

Të ardhurat buxhetore 2026

Malaj raportoi mbi pritshmëritë për të ardhurat e shtetit. “Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% të PBB, me rritje 52.9 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025”, tha ai.

Tatimet dhe doganat pritet të arrijnë në 531.1 miliardë lekë (+6.3%), ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në 197.9 miliardë lekë (+11.4%). Kjo rritje lidhet me zgjerimin e bazës së kontributeve si rezultat i rritjes së pagave dhe formalizimit të tregut të punës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme