Deklaratat fyese ndaj ambasadorit Gonzato, Sali Berisha përjashtohet për 10 ditë nga punimet e Kuvendit

Politikë | 12 muaj më parë

Kryedemokrati Sali Berisha është përjashtuar për një periudhë 10-ditore nga punimet e Parlamentit. Vendimi i marrë nga Komisioni i Etikës, vjen pas kërkesës së socialistëve për marrjen e masave disiplinore ndaj kreut demokrat për gjuhën fyese të përdorur nga ai, kundrejt ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Në kërkesën e PS-së, propozohej përjashtimi nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 10, 30 ose 60 ditë, si dhe vlerësimi i shkeljes së normave të sjelljes dhe gjuhës parlamentare.

Në seancën plenare të 6 nëntorit, gjatë debatit për pr.ligjin “Për Barazinë Gjinore”, Berisha deklaroi se “Ambasadorit të BE-së i them kaq, zotëri ne absolutisht respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tuaja për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare dhe i them këtu, edhe në statusin tënd ti je binary”.

Komentet e kreut të Partisë Demokratike ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri Silvio Gonzato, u dënuan edhe nga Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos.

Ndërkohë, edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi nga Sekretariati i Etikës përjashtimin për 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla. Sipas PD-së, në seancën e datës 6 nëntor, Balla përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës, duke përdorur shprehje si “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty” dhe “gënjeshtar”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme