Dita Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS, apeli i mjekes: Depistimi siguron trajtimin e hershëm

Në Ditën Botërore të Luftës kundër HIV/AIDS, mjekët infeksionistë theksojnë rëndësinë e parandalimit, testimit të hershëm dhe trajtimit të rregullt, të cilat shpëtojnë jetë.
Mjekët u bëjnë apel qytetarëve që të kryejnë teste depistuese, veçanërisht grupet e reja të moshës dhe kategoritë në rrezik, duke qenë se ende nuk ekziston një vaksinë kundër HIV-it.
Mjekja infeksioniste Esmeralda Meta thekson se më të prekurit janë kryesisht personat mbi 14 vjeç, të cilët trajtohen në shërbimet për të rritur.
“HIV/AIDS është një sindromë infektive madhore, e pranishme prej më shumë se tre dekadash. Ka ndikim të fortë mjekësor, social dhe familjar. Trajtohen në shërbimin tonë adultët mbi 14 vjeç, që përbëjnë pjesën aktive të popullatës së prekur. Kjo sëmundje nuk prek vetëm individin, por edhe partnerin dhe familjen. Mesazhi kryesor është testimi: të rinjtë, grupet në rrezik dhe gratë shtatzëna duhet të kryejnë depistim për të siguruar parandalim dhe trajtim të hershëm. Trajtimi kërkon edhe mbështetje psikologjike dhe sociale. Deri tani nuk ka vaksinë, ndaj konsultimi me mjekun është thelbësor,” tha mjekja Meta.
Mjekët rikujtojnë se ndërgjegjësimi, edukimi dhe qasja e rregullt ndaj shërbimeve shëndetësore janë mënyrat më të mira për të ulur numrin e infeksioneve të reja dhe për të mbështetur personat që jetojnë me HIV.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




