Dita e 21-të e protestës së naftëtarëve, Shahu: Do përdorim çdo rrugë ligjore për të siguruar drejtësi e meritokraci
Prej 21-ditësh, naftëtarët vijojnë protestën e tyre ku kërkojnë paga dinjitoze dhe trajtim të barabartë në punë. Në protestën e zhvilluar këtë të mërkurë, 5 nëntor, kreu i Sindikatës së sektorit të Hidrokarbureve Dritan Shahu dhe naftëtarët kanë protestuar përballë selisë së Bankers Petroleum në Fier.
Dritan Shahu, rikujtoi kërkesat e tyre për meritat, promovimet dhe kushte më të mira pune, duke u shprehur se nuk do të dorëzohen derisa të fitojnë të drejtat që u takojnë.
“Ne naftëtarët jemi ende këtu, në këmbë, të pathyeshëm dhe të vendosur. Kërkojmë drejtësi, meritokraci dhe paga dinjitoze, jo më mashtrime dhe padrejtësi!”, tha Shahu.
Sipas gazetares së RTSH, Laureta Roshi, ditën e djeshme, një delegacion i sindikatës dhe naftëtarëve u takua në Tiranë me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Punës, ku u diskutuan problematikat që lidhen me pagat e ulëta, diferencat në pagesa, mungesën e promovimeve, statusin e naftëtarëve, trajtimin e nënkontraktorëve, orët shtesë dhe presionin ndaj punonjësve. U trajtuan gjithashtu kushtet e punës dhe çdo çështje që ndikon direkt apo tërthorazi tek punonjësit.
Inspektorati u angazhua të ndjekë me prioritet të gjitha shqetësimet e ngritura dhe të sigurojë zbatimin e ligjit në favor të punonjësve.
Shahu theksoi se do të përdorin çdo rrugë ligjore për të siguruar drejtësi dhe trajtim të barabartë për çdo punonjës.
“Sot ngremë së bashku zërin për dinjitetin e punonjësve, për të drejtat e mohuara dhe për një trajtim të drejtë për çdo naftëtar! Bashkë do të fitojmë. Ne mbetemi të vendosur të përdorim çdo rrugë ligjore për të siguruar drejtësi dhe meritokraci për çdo punonjës. Bashkë do të fitojmë, kjo është një çështje që prek çdo punonjës ndaj të solidarizohemi të gjithë në këtë kauzë”, përfundoi Shahu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




