Djali i Jakup Krasniqit pas vendimit të Speciales: Ata janë të fortë dhe me ndërgjegje të pastër

Kosovë | 51 minuta më parë

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se e ka takuar babanë e tij pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Altin Krasniqi tha se babai i tij dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së mbeten, sipas tij, të fortë dhe me ndërgjegje të pastër.

“Sapo përfundova vizitën me babin. Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka deklaruar gjithashtu se aktgjykimi i shpallur në Hagë nuk e ndryshon, sipas tij, atë që ai e konsideron si fitoren e luftës së UÇK-së dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008”, ka shkruar Altin Krasniqi.

Ai e ka cilësuar aktgjykimin e sotëm si “një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës”.

“UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”, ka përfunduar ai.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme