Dosja “21 Janari”, vëllai i Hekuran Dedës në SPAK: Kishte përparim me hetimet

Aktualitet | 2 vite më parë

Vëllezërit e Hekuran Dedës, njërit nga viktimat e protestës së 21 janarit 2011 përpara godinës së kryeministrisë, ishin të martën (28 janar) në Prokurorinë Speciale për ngjarjet e asaj kohe.

Pasi u pyetën për dy orë nga SPAK-u, ata deklaruan për mediet se kishin konstatuar përparim me hetimet.

“Shpresojmë që [kjo ngjarje] të zbardhet,” tha vëllai i Dedës, duke sqaruar se janë thirrur edhe vëllezërit e tjerë për të dëshmuar.

Kjo është hera e parë që vëllezërit e Hekuran Dedës japin shpjegime përpara prokurorëve të SPAK-ut. Agimi, vëllai tjetër i Hekuranit, pritet të pyetet ditën e mërkurë, ndërsa Zabiti u pyet të martën.

SPAK-u pritet të rimarrë në pyetje ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Predin, si dhe disa nga gardistët e grupit të zjarrit, përfshirë edhe përgjegjësin e Njësisë Speciale, Agim Llupo.

Struktura e Posaçme ka në dorë provën më të re, një audiopërgjim, ku konstatohet se jepet urdhër për të qëlluar mbi protestuesit, por ende po ekzaminohet dhe pritet krahasimi i zërave me personat e përfshirë.

Dosja e 21 Janarit u dërgua në SPAK pas vendimit të Gjykatës së Lartë, veprim pas të cilit u morën në pyetje ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, dhe deputeti i PS-së, Xhemal Qefaliaj.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme