Drejtori i EBU flet për vizitën në RTSH: Televizioni publik po nis një proces të rëndësishëm reformimi. Vlerësim për ambicien e Znj.Vasili për forcimin e medias

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran, ka reaguar pas vizitës së tij në Radio Televizioni Shqiptar, ku në fokus ishte nisja e procesit të reformimit të transmetuesit publik, si dhe mbështetja që EBU do t’i ofrojë këtij institucioni.

Në një postim në rrjetet sociale, Curran vlerësoi ambicien e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Znj. Eni Vasili, dhe të Këshillit Drejtues për të forcuar median publike në Shqipëri.

“Këtë javë pata një udhëtim plot aksion, por edhe interesant në Shqipëri, duke vizituar RTSH-në dhe duke u takuar me drejtoreshën e përgjithshme Eni Vasili dhe ekipin e saj. Eni është një ish-spikere lajmesh në RTSH, e cila u largua për të punuar në median komerciale shumë vite më parë, por është rikthyer në ‘zemrën’ e saj si drejtoreshë e përgjithshme. Ishte shumë mirë të shihja nga afër ambicien e saj dhe atë të Këshillit për të forcuar median e shërbimit publik për audiencën shqiptare”, shkroi Curran.

Ai foli edhe për takimin që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama, ku ishte i shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Znj. Eni Vasili, ku u diskutua për procesin e transformimit të televizionit publik dhe për mbështetjen politike dhe financiare që nevojitet për realizimin e këtij procesi.

“E vlerësova mundësinë për të takuar kryeministrin Edi Rama dhe për të pasur një shkëmbim shumë të hapur dhe të sinqertë mbi rrugën përpara për RTSH-në. Ata po nisin një proces të rëndësishëm transformimi, por kanë nevojë për mbështetje politike dhe të palëve të interesuara për të realizuar dhe financuar ndryshimet që synojnë të bëjnë. Ne mezi presim të vazhdojmë t’i mbështesim ndërsa ecin përpara me planet e tyre”, përfundoi Curran.

Vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të Unionit Europian të Transmetuesve Publikë, Noel Curran në RTSH vjen në një kohë kur EBU është e angazhuar për të mbështetur televizionin publik në reformimin e thellë të institucionit.

Gjatë takimit më Drejtoreshën e Përgjithshme, Znj. Eni Vasili si dhe me drejtuesit e departamenteve, drejtuesi më i lartë i EBU-së tha se ishte njohur me raportin e grupit te punës së ekspertëve të EBU-së ku pasqyrohej me detaje gjendja aktuale e institucionit.

Ai tha se sfidat që ka sot transmetuesi publik shqiptar lidhet me buxhetin e ulët dhe teknologjinë e prapambetur, or garantoi se ndihma e EBU do të shtrihej si në nivel lokal dhe atë ndërkombëtar, për përmirësimin e situatës financiare dhe rimëkëmbjen e RTSH-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme