Eksportoi 8 tonë domate me pesticide në Kroaci, arrestohet pronari i subjektit dhe dy inspektorë të AKU Berat

Aktualitet | 1 vit më parë

Tre persona, mes të cilave dy inspektorë të AKU Berat, janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre duke lejuar eksportimin e domateve me pesticide jashtë normave të lejuara drejt Kroacisë.

Ka qenë prokuroria e Beratit që ka kërkuar ndalimin e Mariglen Q., administrator i subjektit të perimeve, si dhe dy inspektorëve të AKU-së, të cilët akuzohen për “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve, autoritetet kroate konstatuan 8 tonë domate të eksportuara nga subjekti përmbanin nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyr” (0.06 mg/kg), shumë mbi normën e lejuar prej 0.01 mg/kg.

Për të shmangur përgjegjësinë, administratori i subjektit dyshohet se ka përdorur një faturë fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë që më pas u përdorën në procedurat doganore dhe në raportet e gjurmueshmërisë së AKU-së.

Ndërkohë, sipas prokurorisë, inspektorët e AKU-së, kryen inspektim më 29 gusht 2025 në ambientet e subjektit dhe nuk konstatuan sasinë e domateve që ndodhej në magazinë dhe plotësuan dokumentacionin sikur aty nuk kishte produkt, duke shmangur marrjen e mostrave dhe bllokimin e mallrave.

Inspektorët kanë pranuar si të rregullt faturën fiktive të paraqitur nga pronari i subjektit dhe mbi bazën e saj kanë hartuar raportin e gjurmueshmërisë së produktit, duke tjetërsuar të dhënat mbi origjinën.

Prokuroria ka bllokuar dhe marrë mostra për analiza nga produkte të tjera të subjektit përfshirë domate, speca dhe kastravecë, të cilat dyshohen të jenë gjithashtu të kontaminuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme