Euro U17, shorti më 31 mars

Kombëtarja | 2 vite më parë

Shorti për fazën finale të kampionatit evropian të moshës nën 17 vjeç do të hidhet më 31 mars e do të transmetohet direkt në Radio Televizionin Shqiptar. Shqipëria, si vend pritës, do të jetë në Grupin A, ndërsa shtatë finalistët e tjerët do të njihen më 25 mars.

UEFA ka bërë të ditur skemën e fazës finale të kampionatit evropian të moshës deri në 17 vjeç, e cila do të zhvillohet në Shqipëri nga 19 maji deri më 1 qershor. Në fazën finale do të marrin pjesë tetë skuadra, të ndara në dy grupe me nga katër skuadra. Shqipëria është finalistja e parë, si vend organizator, ndërsa shtatë skuadrat e tjera do të njihen më 25 mars, kur mbyllet raundi i dytë i kualifikueseve. Janë shtatë grupe të Ligës A dhe fituesi i çdo grupi pret biletën për në Shqipëri.

Shorti i finaleve do të hidhet në Shtëpinë e Futbollit në Tiranë, në 31 mars, në orën 19.00 dhe do të transmetohet direkt në Radio Televizionin Shqiptar. Shqipëria është përcaktuar si A1, skuadra e parë e Grupit A dhe do ta luajë ndeshjen hapëse të evropianit kundër skuadrës A4, e cila do të përcaktohet nga shorti. Dy vendet e para të çdo grupi do të kalojnë më tej, në gjysmëfinale, ku do të kryqëzohen me skuadrat e grupit tjetër, pra e para e grupit A me të dytën e grupit B dhe e dyta e grupit A me të parën e grupit B.

Finalja do të luhet më 1 qershor, ndërkohë që nuk do të ketë ndeshje për vendin e tretë e të katërt. Gjithsej do të zhvillohen 15 ndeshje, të cilat do të luhen në katër stadiume me afërsi gjeorgrafike nga njëri-tjetri.

Do të luhet në Arenën Kombëtare në Tiranë, me kapacitet 22 mijë vende, në Elbasan Arena në Elbasan, me 12,800 vende, në stadiumin Niko Dovana në Durrës me kapacitet 12,040 vende dhe në Egnatia Arena në Rrogozhinë, me kapacitet 4 mijë vende.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme