Festivali miqësisë greko-shqiptare, zërat e bashkuar të të dy vendeve sollën një mbrëmje plot harmoni në skenën e qytetit

Kulturë | 6 muaj më parë

Në një atmosferë të mbushur me ndjeshmëri artistike dhe elegancë, skena e Teatrit të Korçës u shndërrua në një hapësirë ku muzika foli gjuhën universale të miqësisë.

Festivali i 3-të i Miqësisë Greko-Shqiptare mblodhi së bashku kore nga Shqipëria dhe Greqia, duke krijuar një mozaik tingujsh që ndërthurën traditën me shpirtin bashkëkohor.

“Pa diskutim që kemi në lidhje historike dhe është një nga gurët e themelit kjo mes Greqisë dhe Shqipërisë në Korçë, është ai qytet i cili ka pasur gjithmonë horizonte të hapura çdo kulture tjetër sidomos ndaj kulturës fqinje greke. Prandaj neve besojmë që është qyteti i vetëm i cili mund të mund të mbajë në zemrën e tij një festival të këtij”, u shpreh Aleks Sulioti, Koordinator i Qendrës së Artit dhe Kulturës.

Nën frymën artistike të Giorgos Kokkinis dhe përkushtimin organizativ të Panteleimon Konstantakopoulos, kjo mbrëmje u kthye në një udhëtim emocional për publikun.

Çdo interpretim solli një histori, çdo zë një ndjenjë, ndërsa koret pjesëmarrëse  ku nga Korça  nuk kishte si të mungonte kori ikonë i qytetit, Nderi i Kombit, Kori Lira, nga Evia, Athina e deri në Kalamata krijuan një dialog të bukur kulturor përmes muzikës.

“Prezantohemi me dy këngë nga Kori ynë, Galini me poezi të Dionisios Solomos dhe muzikë të Demetris Lagios si dhe këngën tradicionale Zakinjane, alfabeti i dashurisë. Këto krijime shërbejnë si urë lidhëse mes dy zhanreve muzikore të interpretuara në frymën e serenatës korçare”, tha Tita Terzi, Mësuese shkolla “Omiros”.

“Është kultura, është miqësia që kemi neve me popullin grek sidomos Korça. Kjo u pa dhe në performancën e sallës që mbushur plot me spektator”, theksoi Thoma Collaku, Anëtor i Korit Lira.

Nën prezantimin elegant të Aleks Suliotit, koncerti nuk ishte thjesht një aktivitet artistik, por një festë e vërtetë e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit, ku arti u bë ura që lidh njerëzit përtej kufijve.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme