Fier, Berisha: Brenda 100 ditëve zhduk varfërinë ekstreme, nuk do të ketë pension më pak se 200 euro në muaj

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, prezantoi të mërkurën në Fier, kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Në këtë takim elektoral Berisha e vuri theksin tek programi i PD-së për mirëqenien sociale, duke premtuar se në 100 ditët e para të qeverisjes, “do të ketë zero varfëri ekstreme”.

“Jam para jush për të paraqitur së bashku me përfaqësuesit tuaj të ardhshëm në parlament, projektin tonë për Fierin Madhështor, Lushnjën Madhështore, Mallakastrën Madhështore, Patosin Madhështor, Roskovecin Madhështor. Unë vij tek ju si përfaqësues i koalicionit më të madh opozitar të krijuar që nga vitet ’90 gjer më sot. Por, unë vij gjithashtu edhe me projektin më të mirë, me projektin që krijon mundësi të re për çdo shqiptare dhe shqiptar, për çdo të ri dhe të re, për çdo burrë dhe grua, për çdo fermer dhe punëtor, për çdo biznesmen, për mbarë qytetarët shqiptarë. Projekti ynë nis jetën e tij me mbrojtjen e vlerave themelore të individit, të familjes, të shoqërisë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se forca politike që ai drejton beson tek dinjiteti i njeriut, sepse dinjiteti njerëzor është vlera e të gjitha vlerave, për të cilën PD është e gatshme të bëjë çdo sakrificë, të paguajë çdo çmim në mënyrë që çdo shqiptar të trajtohet me dinjitet.

“Ne shpallim solemnisht se në Shqipëri, në 100 ditët e para, do të ketë zero varfëri ekstreme”, tha Berisha, ndërsa shtoi se nuk do të ketë pension më pak se 200 euro në muaj.

Sipas tij, programi i “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do bëjë që rroga minimale të jetë brenda tre muajve deri në 500 euro.

“Pensionistët do t’i marrin ushqimet 20% më lirë se të tjerët. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe brenda një viti ajo arrin 450 euro, pra rreth dy-tre pensione, deri rreth një rrogë minimale. Pra miq, me këtë projekt ne u krijojmë një mundësi atyre që e shkrinë jetën e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie që kemi sot, të jetojnë me dinjitet. Të mos presin ilaçet e tyre nga njerëzit e tyre jashtë, por t’i marrin këtu pa lekë, dhe t’i marrin të njëjtën cilësi”, vijoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme