Gati për vitin e ri arsimor, 43 regjistrime në gjimnazin gjuhësor “Pandeli Sotiri”
Ndërsa është ende në proces një fazë tjetër regjistrimi për në shkollat e arsimit parauniversitar, gjimnazin gjuhësor “Pandeli Sotiri” për këtë vit shkollor e kanë zgjedhur 43 nxënës të klasave të para dhe të dhjeta.
“Këtë vit shkollor shikojmë një rritje interesi në regjistrimet, pasi në klasën e parë janë 12 nxënës dhe në klasën e dhjetë janë 31 nxënës. Kjo falë përkushtimit të stafit mësimdhënës dhe falë mundësive të shumta që jep kjo shkollë lidhur me mësimin e gjuhëve të huaja dhe mësimin e gjuhës greke.” u shpreh drejtoresha, Matilda Gushi.
Përsa u përket teksteve, ato në gjuhën greke kanë mbërritur më herët, thotë drejtoresha Matilda Gushi, ndërsa duke u plotësuar për çdo klasë janë ato në gjuhën shqipe.
“Tekstet shkollore kanë ardhur në afatin e duhur. Tekstet në gjuhën greke kanë ardhur të gjitha dhe shumë më herët sesa tekstet në gjuhën shqipe. Pra, nxënësit e pakicave i kanë tekstet shkollore në momentin e duhur. Tani, në vijimësi, nxënësit po pajisen me tekste në gjuhën shqipe, kryesisht nxënësit AML. Gjithashtu, bëhet një punë e veçantë lidhur me pajisjen e nxënësve të kategorive të veçanta, të cilët përfitojnë tekste falas në arsimin e mesëm të lartë.”
Ndërkohë, masa janë marrë edhe për vënien në gatishmëri të ambienteve të brendshme e të jashtme të saj.
“Bashkia ka mbaruar detyrimet me shkollën time, ka bërë lyerjen e fasadës, lyerjen e mjediseve të brendshme, korridoret, pastrimin e mjediseve të jashtme të zonës së gjelbër.”
Këtë vit mësimor gjimnazi gjuhësor “Pandeli Sotiri” pritet të frekuentohet nga rreth 170 nxënës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




