Gjykata e Lartë rikthen për rishqyrtim çështjen e tjetërsimit të pronave te Rana e Hedhun

Aktualitet | 7 muaj më parë

Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Shkodër për çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, duke e kthyer atë për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Bëhet fjalë për një nga dosjet më të bujshme të pronave në bregdet, ku sipas hetimeve janë tjetërsuar rreth 234 mijë metra katrorë tokë shtetërore ranishte.

Vendimi i prishur i Apelit Shkodër (nr. 222, datë 28.10.2022) kishte shpallur fajtor disa zyrtarë dhe qytetarë që sipas gjykatës janë të përfshirë në këtë skemë. Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, ish-kryetari i Qarkut, Gjok Ndoka, u dënuan me nga 3 vite burg secili. Po ashtu, Gjykata e Apelit gjeti fajtor edhe 16 persona të tjerë për tjetërsimin e rreth 234 mijë m² tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun, ndërsa për disa prej tyre dënimet u konvertuan në shërbim prove ose u lanë në fuqi vendimet e shkallës së parë, nga 1 deri në 3 vite burg.

Ndërkohë, në një tjetër linjë hetimi për të njëjtën zonë, organet e drejtësisë kanë evidentuar edhe tjetërsimin e rreth 66 mijë m² tokë me vlerë miliona euro, çka tregon përmasat e gjera të kësaj skeme. Gjykata e Lartë nuk ka zbardhur ende arsyetimin e plotë të vendimit për kthimin e çështjes, i cili pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkeljet procedurale apo ligjore të konstatuara në vendimin e Apelit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme