Gjykata speciale liron ish-komandantin e UÇK-së: Nuk është më e arsyeshme që Kilaj të qëndrojë në paraburgim

Kosovë | 11 muaj më parë

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë vendosën të lirojnë me kusht  ish-kryetarin e Malishevës Isni Kilaj. Njoftimi erdhi pas rishikimit të masës së paraburgimit në “Çështjen 12”, ku ai gjykohet së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet aktualisht në Hagë.

Gjyqtari i çështjes arriti në përfundimin se rrethanat kanë ndryshuar që nga tetori dhe se vazhdimi i paraburgimit për Kilajn nuk është më i arsyeshëm dhe as proporcional. Gjykata Speciale njoftoi se megjithëse u konstatua se ekzistonte njëfarë rreziku se nëse Kilaj lirohet, mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale, gjyqtari theksoi se e drejta për liri në këtë fazë është më e madhe se mbajtja e tij në paraburgim.

 Isni Kilaj mbetet ende i akuzuar dhe lirimi i tij shoqërohet me kushte strikte, të vendosura për të parandaluar çdo ndërhyrje në proces, ndërsa Gjykata Speciale  paralajmëroi se çdo shkelje e kushteve do të rezultojë me nxjerrje të menjëhershme të fletarrestit për Kilajn. Ish-kryetari i Malishevës u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim në Hagë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme