Gjykimi i ish-luftëtarëve të Kosovës, Spiropali: Dëshmitë do të largojnë njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së

Kosovë | 1 vit më parë

Teksa vëmendja është zhvendosur sot në Hagë, ku dëshmitarët po japin deklaratat në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, ish-kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka bindjen se drejtësia do të triumfojë.

Me një postim në rrjetet sociale, znj. Spiropali, e cila është propozuar nga kryeministri Edi Rama edhe si kryediplomate e Shqipërisë në ngarkim për Punët e Jashtme, e quajti të padrejtë procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve të dikurshëm të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ndaj ish-deputetit Rexhep Selimi.

“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë. Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi,” postoi znj. Spiropali në Facebook.

Ish-presidenti Thaçi thirri sot (15 shtator) ish-Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, për të dëshmuar në favor të tij në Hagë, ku akuzohet për krime lufte që ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Kosova pretendohet se kanë kryer në fundvitet ’90.

Dëshmitari i ditës, i cili shërbeu në qeverinë demokrate të SHBA-së në vitet 1997–2000, u paraqit në Gjykatën Speciale së bashku me përfaqësues aktualë të qeverisë amerikane. Rubin ishte i dërguar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright dhe u përfshi në punimet në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë për marrëveshjen e paqes mes Kosovës dhe Jugosllavisë.

Një ditë më parë, shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën pranë godinës së Gjykatës në Hagë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së, duke mbajtur pankarta në duar, me këngë patriotike, veshje me motive ushtarake dhe thirrje për drejtësi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme