Gjyqi ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë – Mbrojtja e ish-presidentit mori në pyetje dëshmitarin e parë të prokurorisë

Kosovë | 8 muaj më parë

Të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-zyrtarëve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuçi dhe veteranit të UÇK-së Fadil Fazlliu, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë. Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, mori në pyetje dëshmitarin e organit të akuzës, për të cilin Prokuroria Speciale tha se është pjesë e stafit të saj.

Gjatë seancës, avokatja u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në çështjen ndaj Thaçit, që është në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale mbi akuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar në Hagë. Ajo përmendi emrin e Rustem Mustafës, i njohur si Remi dhe tre të tjerëve.

Deklarata e avokates u konfirmua edhe nga përgjigjja e dëshmitarit të prokurorisë, ndërsa ky i fundit u shpreh se ata nuk ishin vendosur nën masa mbrojtëse, pasi ishin figura publike dhe kishin folur më herët publikisht për atë çështje. Ish-presidenti i Kosovës  dhe 4 ish-zyrtarët e tjerë janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë. Edhe avokatët e tyre mbrojtës kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, Thaçi gjatë vizitave në vitin 2023 në qendrën e paraburgimit në Hagë, ka udhëzuar dhe u ka dhënë informacione konfidenciale të akuzuarve të tjerë për të ndikuar që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshojnë dëshminë e tyre në gjyqin ku ai bashkë me Veselin, Krasniqin dhe Selimin akuzohen për krime lufte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme