Gjyqi në Hagë, sot flasin 4 ish-krerët e UÇK-së

Kosovë | 9 muaj më parë

Sot në Hagë, Dhomat e Specializuara do të dëgjojnë deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Seanca pritet të nisë në orën 09:00 dhe shënon fazën vendimtare të procesit gjyqësor.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020, do të kenë ne dispozicion nga 20 minuta secili për të folur.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat Prokuroria i lidh me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999. Sipas akuzës, ata kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, por të katërtit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka kërkuar gjithsej 180 vite burg, ndërsa mbrojtja i ka rrëzuar këto pretendime.

Procesi gjyqësor po zhvillohet paralelisht me një klimë të fortë mbështetjeje në Kosovë.

Një ditë më parë, në Prishtinë u organizua një marsh masiv me moton “Drejtësi, jo politikë”, ku sipas organizatorëve morën pjesë mbi 130 mijë qytetarë.

Marshimi u mbajt nga platforma “Liria ka emër” dhe u shoqërua nga mesazhe për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme