‘Hungaria nuk e voton as për 100 vjet’-Ministri i Jashtëm i Ukrainës i përgjigjet Orbanit: Ti dhe Putini nuk na ndaloni në rrugën drejt BE-së

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili ka premtuar se Hungaria do ta mbajë Ukrainën jashtë Bashkimit Evropian për 100 vjet.
Sipas Sybihës, Orbán po e tepron me aftësinë e tij për të bllokuar të ardhmen evropiane të Ukrainës.
Ai i është përgjigjur pretendimeve të Orbánit për një “plan sekret” të Komisionit Evropian për të mbështetur Ukrainën dhe anëtarësimin e saj në BE, si dhe pohimit se Hungaria nuk do të ketë parlament që do të votojë pro anëtarësimit të Ukrainës për 100 vjet.
“Ky plan është i dënuar të dështojë, z. Kryeministër. Zotëria juaj në Moskë nuk do të zgjasë 100 vjet, edhe sikur të ishit gati t’i dhuronit të gjitha organet tuaja. Dhe ditën kur Ukraina të bashkohet me BE-në, ne do ta kornizojmë atë në parlamentin ukrainas për të kujtuar gënjeshtrat tuaja për 100 vitet e ardhshme”, shkruan ministri i Jashtëm i Ukrainës.
Ky reagim vjen pas deklaratave të Orbánit, ku ai pretendoi se Hungaria do të vazhdojë ta bllokojë Ukrainën në BE edhe për shekullin e ardhshëm, duke e lidhur me një dokument të supozuar të Komisionit Evropian.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë afër marrëveshjes për një “plan prosperiteti” për Ukrainën, bazuar në pesë shtylla kryesore; rritja e produktivitetit përmes reformave miqësore ndaj biznesit dhe forcimit të konkurrencës në treg, integrimi i Ukrainës në tregun e BE-së, investimet, donatorët dhe reformat.
Ky plan synon rindërtimin dhe zhvillimin e Ukrainës pas luftës, duke u mbështetur në vlerësimet e nevojave nga Banka Botërore. Ai shihet si një vizion i përbashkët mes Ukrainës, SHBA-së dhe BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




