Infermieria në Shkodër plotëson kuotat, mbi 200 maturantë në pritje, u mbyll që në fazën I

Arsim | 2 orë më parë

Në fazën e parë të regjistrimeve, 80 kuotat e plota të degës së Infermierisë së Përgjithshme në Universitetin e Shkodrës janë ezauruar. Interesi i lartë i maturantëve ka bërë që Departamenti i Infermierisë të kërkojë rialokimin e 20 kuotave të tjera, për t’iu përgjigjur kërkesës së lartë për këtë program studimi.

Janë ezaururar 100% të kuotave në fazën e parë të cilat ne kemi vendosur për studentët që kërkojnë për të ndjekur këtë lloj programi studimi. Duke parë kërkesën shumë të madhe nga momenti i regjistrimit të studentit të fundit që ishin dhe rreth 270 maturantë të tjerë në pritje, ne si departament realizuam një mbledhje dhe ju drejtuam dekanit për kuota dhe tashmë kemi dhe 20 kuota të tjera shtesë”, u shpreh Emiljano Pjetri, Shef, Departamenti Infermieri e Përgjithshme.

Ndërkohë, janë ezauruar edhe kuotat e parashikuara për transferimet e studimeve. Në këtë fazë, mundësia për regjistrim mbetet vetëm për 6 kuotat e fakulteteve të dyta.

Po ashtu janë realizuar me masë 100% edhe kuota e transferimeve të studimeve nga një program i njëjtë ose i përafërt studimit dhe kemi dhe gjashtë kuota që janë fakultete të dyta ose programet e dyta studimi”, tha ai.

Shifrat e regjistrimeve tregojnë interesin e qëndrueshëm të të rinjve për programet e mjekësisë në arsimin e lartë në Shkodër, ndërsa universiteti vijon procedurat për plotësimin e kuotave dhe administrimin e kërkesave të reja për regjistrim.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme