Guterres dënon sanksionet e SHBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Amerikë | 47 minuta më parë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka dënuar ashpër sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN/ICC) si institucion.

Zëdhënësi i Guterres u shpreh se këto sanksione përbëjnë një “goditje të rëndë për përpjekjen tonë kolektive në kërkim të drejtësisë penale ndërkombëtare”.

Ai shtoi se masat e ndërmarra do të cenojnë drejtpërdrejt aftësinë e gjykatës “për të përmbushur mandatin e saj të rëndësishëm, përfshirë rastet e referuara nga Këshilli i Sigurimit dhe nga shtetet palë të Statutit të Romës”, si dhe për “të vendosur drejtësi për viktimat”.

Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së vjen në një kohë kur Holanda, vendi pritës i selisë së gjykatës në Hagë — dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur institucionin në funksionim të plotë.

Kryeministri holandez theksoi se është vendimtare të vazhdohet dialogu dhe bisedimet me SHBA-në gjatë periudhës kalimtare gjashtëmujore, përpara se sanksionet të hyjnë zyrtarisht në fuqi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme