Izraeli evakuon me forcë spitalin e Gazës

Botë | 2 vite më parë

Forcat izraelite kanë arrestuar dhe marrë në pyetje stafin mjekësor të spitalit Kamal Adwan, një nga spitalet e fundit të mëdha në veri të Gazës, pas një operacioni që solli evakuimin e detyruar të tij. Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, ka konfirmuar se drejtorit të spitalit, Dr. Hussam Abu Safiya, i është kërkuar të jepte shpjegime nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), të cilat e kanë akuzuar si “operativ terrorist të Hamasit” pa dhënë prova konkrete.

Përveç arrestimeve, sulmet ajrore izraelite të premten i kanë marrë jetën rreth 50 njerëzve, përfshirë stafin mjekësor, të cilët ishin afër spitalit. IDF ka deklaruar se operacioni u krye pasi spitali ishte një “bastion i terroristëve të Hamasit”.

Në këtë situatë, rreth 15 pacientë kritikë dhe 70 persona të tjerë, përfshirë staf mjekësor dhe kujdestarë, u transferuan në Spitalin Indonezian të afërt. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim për bastisjen dhe ka theksuar se kjo ka lënë spitalin e fundit të madh në zonë jashtë funksionit.

Eid Sabbah, kreu i departamentit të infermierisë në Kamal Adwan, ka treguar se forcat izraelite kanë urdhëruar evakuimin në orën 07:00 të së premtes, duke dhënë vetëm 15 minuta për të zhvendosur pacientët dhe stafin. Më pas, trupat izraelite kanë hyrë në spital dhe kanë larguar pacientët që ishin mbetur atje.

Hamasi ka kërkuar ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur objektet shëndetësore të mbetura në Gaza dhe ka kërkuar që vëzhguesit e OKB-së të dërgohen për të hetuar situatën dhe për të zbuluar të vërtetën e ngjarjeve që po ndodhin në këtë rajon të tensionuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme