Izraeli hakmerret ndaj sanksioneve të Britanisë/I mbyll konsullatën në Jerusalem, Londra shpreh keqardhje
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband shprehu keqardhje ndaj vendimit të Izraelit për të mbyllur konsullatën e Mbretërisë së Bashkuar në Jerusalem, por tha se ajo masë ishte e pritshme. “Ne e parashikuam që kjo mund të ndodhte.
Mendoj se vendimi është për të ardhur keq dhe dëmtues. Ne peshuam kostot dhe përfitimet e veprimit dhe menduam se thjesht nuk mund të qëndronim duarkryq, sepse kishim frikë nga veprimet e Izraelit”- deklaroi ai për BBC. Tel Avivi urdhëroi mbylljen e konsullatës pasi 12 vende, përfshirë Britaninë njoftuan sanksione të reja tregtare ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar pas rritje së sulmeve të kolonëve ndaj palestinezëve.
Ndërsa Izraeli paralajmëroi gjithashtu dëbimin e përfaqësuesit britanik të një qendre që monitoron planin e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Gaza, trajnimin e forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinez dhe ndalimin e 12 zyrtarëve britanikë, kryesisht anëtarë të parlamentit, që të vizitojnë vendin.
Megjithatë Miliband siguroi se sanksionet nuk do të ndikonin në bashkëpunimin e inteligjencës me Izraelin, duke theksuar se do ta mbështesin shtetin hebre kundër kërcënimeve nga Irani. Sanksionet perëndimore erdhën pasi qeveria izraelite muajin e kaluar hapi tenderët për ndërtimin e rreth 1200 njësive të reja banimi në një zonë strategjike në Bregun Perëndimor, vendim që u kritikua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




