James Rubin vijon dëshminë në Hagë: Akuzat ndaj UÇK-së s’janë vërtetuar kurrë. Paraburgimi i zgjatur i Thaçit dhe të tjerëve, i padrejtë

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka vijuar edhe këtë të martë (16 shtator), dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të UÇK të akuzuar për krime lufte. Ai u thirr si dëshmitari i parë nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Rubin, i cili gjatë viteve 1997–2000 shërbeu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënës kryesor i Departamentit të Shtetit, tha para trupit gjykues se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar akuzat ndaj UÇK-së, por ato nuk u provuan kurrë.
“Ka pasur pretendime dhe akuza për një vit, por ne i shqyrtuam dhe nuk arritëm t’i vërtetonim. Nuk ka prova apo informacione që lidershipi i UÇK-së ka dhënë urdhra për vrasje apo ka qenë i përfshirë në krime të organizuara. Këto mbeten akuza të paprovuara. UÇK-ja vepronte nën represionin e forcave serbe dhe nuk kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake,” deklaroi ai.
I pyetur nga prokuroria speciale lidhur me raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, Rubin theksoi se “kurrë nuk doli asgjë nga ajo”.
Në dëshminë e tij, Rubin shprehu shqetësim të madh për kohëzgjatjen e paraburgimit të Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke thënë se kjo e bën të mendojë se “lidhet me politikën”.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën. Më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për kaq gjatë, këta persona kanë ardhur vullnetarisht dhe kanë qenë bashkëpunues me Gjykatën. Në rastin e të akuzuarve nuk e kuptoj pse është dashur të jenë në burg për 5 vjet, nuk e shoh si shtet të së drejtës, Albright nuk e ka pasur këtë drejtësi në mendje kur e ka incizuar Tribunalin e Hagës. Mua kjo më është dukur si fajësim politik për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së, Duke qenë se kam parë nga afër liderët e UÇK-së dhe asnjë person tjetër nuk e ka pasur këtë mundësi, duke pasur ide të mirë të funksionit. Për 3 ditë kam parë si janë sjellë ata, kush ishte përgjegjës, komandant, mbështetës. Duke pasur këtë njohuri mendoj se kjo ka qenë e gabuar, unë nuk jam jurist, kjo nuk është drejtësi”, u shpreh Rubin në sallën gjyqësore.
Në dëshminë e një dite më parë, Rubin shtoi se regjimi serb kishte tentuar të mbulonte krimet e veta duke ia atribuuar ato UÇK-së.
“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo ishte në përputhje me mënyrën e veprimit të tyre në atë kohë,” tha ish-diplomati amerikan. Procesi kundër Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në ditët në vijim.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshinë burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




