Java Globale e Sigurisë Rrugore – Gabimet e të rinjve që mësojnë të drejtojnë mjetin
Era Osmani është një 27 vjeçare nga Korça e cila është duke përfunduar kursin për drejtimin e mjetit. Ajo shprehet se ka shumë dëshirë të bëhet një shofere e mirë, ndërsa drejtimi i një automjeti është edhe mjaft i nevojshëm për të dhe familjen e saj. Duket se Era është në rrugë të mbarë sa i takon drejtimit të mjetit, por nga ana tjetër ajo shpreh pasiguri kur sheh drejtues të tjerë mjetesh që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, çka në disa raste edhe e frikëson.
“Kam dëshirë të ngas makinën dhe është e nevojshme në familjen time por ndjej vështirësi nga makinat e tjera”, u shpreh Era Osmani.
Për instruktorin Petrika Kuqali e rëndësishme është që të rinjtë të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur aksidentet. Ai tregon se gabimet më të shumta të kursantëve janë gjatë drejtimit të mjetit në qytet, por edhe gjatë mësimit të parkimit.
“Është e rëndësishme të zbatojnë rregulloren e qarkullimit rrugor”, tha instruktori Petrika Kuqali.
Këtë javë është Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore, e cila zhvillohet nga data 21 deri më 27 maj. Kjo është një nismë ndërkombëtare e organizuar nga OKB dhe OBSH, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ulë numrin e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugë.
Ndaj edhe në këtë kuadër sipas instruktorit Kuqali, ata që duhet të ndërgjegjësohen më shumë janë drejtuesit e rinj të mjeteve, të cilët duhet të mësojnë të respektojnë të gjitha rregullat e qarkullimit.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




