Kaja Kallas: BE në bisedime për një marrëveshje ndërkombëtare që të sigurojë hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Botë | 8 muaj më parë

Presidentja e Komisionit Europian, Kaja Kallas, ka deklaruar se Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së masave për të siguruar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nyje strategjike për transportin e naftës dhe gazit natyror.

Duke iu referuar situatës së krijuar nga mbyllja e ngushticës, Kallas tha se ka diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, idenë e një marrëveshjeje të ngjashme me atë që lejonte transportin e grurit nga Ukraina gjatë luftës, e njohur si “Nisma e Detit të Zi”.

Ajo e përshkroi mbylljen e ngushticës si “veçanërisht të rrezikshme” për furnizimin me energji në Azi, por edhe problematike për prodhimin e plehrave.

Kallas paralajmëroi se “Nëse ka mungesë plehrash këtë vit, do të ketë edhe mungesë ushqimi vitin tjetër.”

Në këtë kuadër, po shqyrtohet edhe mundësia e ndryshimit të mandatit të misionit detar të BE-së në Lindjen e Mesme, “Aspides”, i cili aktualisht është i fokusuar në mbrojtjen e anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Huthi të Jemenit.

Lidhur me rezervat e shprehura nga Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vandeful, për efektivitetin e misionit në Ngushticën e Hormuzit, Kallas u shpreh se “Sigurisht që duhet të kemi edhe shtetet anëtare në anën tonë. Nëse shtetet anëtare vendosin që të mos bëjmë asgjë, ky është vendimi i tyre, por ne duhet të diskutojmë se si të ndihmojmë për ta mbajtur Ngushticën e Hormuzit të hapur.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme