Kanceri i gjakut, rastet janë në rritje, Ivanaj: 55 raste të reja në vit. Mjekët thirrje për diagnozë që nis nga mjeku dhe jo laboratori

Shëndet | 54 minuta më parë

Sëmundjet malinje të gjakut po shtohen çdo vit në Shqipëri duke prekur të gjitha moshat. Shefi i shërbimit të hematologjisë në QSUT, Arben Ivanaj tha për RTSH se çdo vit regjistrohen rreth 55 raste të reja.

Në përgjithësi, kanceri është në rritje dhe numri i limfomave, praktikisht, është në rritje. Janë sëmundje relativisht agresive, janë sëmundje të cilat trajtohen shumë mirë, por mbeten sëmundje, në përgjithësi, të pashërueshme, pavarësisht progresit që është bërë. Në vlera absolute, janë rreth 50–55 raste të reja në vit”, u shpreh Arben Ivanaj.

Por pse po shtohen kaq shumë këto sëmundje? Prof. Ivanaj shpjegon ndikimin që kanë faktorët e jashtëm në predispozitën tonë gjenetike.

Pse tek unë bëhet, ndërsa tek dikush tjetër nuk bëhet? Atëherë, kjo është ajo që quhet predispozita gjenetike. Pra, dikush në farefisin tim ka pasur një gen defektoz, i cili është transmetuar tek unë dhe, në një moment të caktuar, në një kohë të caktuar, praktikisht ndodh dëmtimi. Ky dëmtim bëhet i pakthyeshëm dhe e çon në linjën e kancerit”, tha ai.

Shefi i shërbimi sheh me kritikë të fortë tendencën masive të qytetarëve për t’u vet diagnostikuar përmes analizave laboratorike pa rekomandim.

Duhet të adresojmë njerëzit tek mjeku i familjes dhe të dalin nga mentaliteti te laboratori”, theksoi mjeku.

Jetëgjatësia mesatare e një pacienti që diagnostikohet me kancer të gjakut shkon mesatarisht 7-8 vite por profesori sheh me rezerva trajtimin e pacientëve në Shqipëri.

“Në Shqipëri, përgjithësisht, mjekohen mirë dhe shumë mirë linja e parë, veçanërisht linja e parë e mjekimit. Për arsye të cilat nuk lidhen me ne, por kryesisht me mungesën e vullnetit të vendimmarrësve për të zhvilluar gjërat dhe për t’i çuar përpara, kemi ngelur pa zhvilluar sa dhe siç duhet diagnostikën dhe trajtimin, më shumë se linjën e parë të mjekimit”, shpjegoi ai.

Njohuritë mjekësore po rriten me shpejtësi dhe mundësitë terapeutike po shtohen por mjekët bëjnë thirrje për një kulturë të të pacientit shqiptarë që simptomat t’ia adresojnë mjekut dhe jo laboratorit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme