Kapiteni Gjimshiti: Disa ëndrra edhe realizohen

Kombëtarja | 2 vite më parë

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, rikthehet në skuadër pas mungesës në Nations League duke komentuar në funksion të ndeshjes me Anglinë. Ai u shpreh se ka gjetur një atmosferë mjaft pozitive. Kapiteni kuqezi vlerësoi kundërshtarin me nota të larta, por theksoi se Shqipëria do të provojë gjithçka në fushë ndaj Anglisë. Gjimshiti tha ndër të tjera se ekipi është përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve dhe do të luftojë si grup për të ndalur ishullorët.

Si e gjetët atmosferën në skuadër pas rikthimit – Gjeta një atmosferë shumë të mirë. Një frymë të re, ka disa lojtarë të rinj, janë talente, përmirësojnë ekipin. Në stërvitje kam parë që çdokush jep maksimumin në fushë që të arrijë një qëllim që nuk ka ndodhur kurrë. Besoj kjo është gjëja më e rëndësishme.

A mund të arrihet kualifikimi në Botëror? – Thonë që ëndrrat nuk janë të mundura, por besoj që disa ëndrra edhe realizohen. Dhe pse jo. Nuk besoj që më herët njerëzit mendonin se Shqipëria do të kualifikohet dy herë në Europian. Ne jemi një ekip më i vogël se Anglia, por kemi një qëllim. Duhet të provojmë sepse mundësitë i kemi, të japim gjithçka dhe në fund shikohet rezultati. Por duhet të japim gjithçka në fushë dhe pastaj nëse arrijmë, është një sukses.

Sa e vlerësoni ndeshjen duke pasur parasysh kundërshtarin? – Forca e Anglisë dihet, nuk dua të flas për lojtarët individualisht. Ne jemi përgatitur mirë, trajneri na ka thënë se çfarë duhet të bëjmë në fushë dhe do jemi të përgatitur të japim gjithçka në fushë. Ajo që është më e rëndësishme është që ekipi të bëjë atë që di të bëjë në fushë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur, por jemi përgatitur shumë mirë dhe do të shohim nesër.

Do ia dilni të bllokoni Harry Kane? – Individualisht nuk besoj se duhet të flasim për lojtarët e Anglisë. Ekipi ka një punë të vështirë nesër, jo vetëm Gjimshiti apo kush do luajë nesër. Si ekip duhet të ndalim sulmin e Anglisë. Nuk do jenë duele individuale, por do jete duel skuadrash dhe besoj se nëse e përballojmë mirë, do e kenë të vështirë.

Sa mendon që do e përballojë Shqipëria sfidën e nesërme, duke marrë parasysh që Anglia hyn si favorite? – Besoj se Anglia jo vetëm kundër nesh, por edhe ndaj ekipeve të tjera hyn favorite në fushë për të fituar. Nuk besoj se Anglia do të na nënvlerësojë sepse edhe ata e dinë që kemi bërë disa gjëra të mira si kombëtare. Futbollit nuk i dihet, besoj se nuk do të na nënvlerësojnë.

Çfarë keni mësuar nga Europiani dhe që do ta aplikoni në ndeshjen e nesërme? – Besoj se kemi bërë një Europian të mirë, edhe pse nuk kaluam më tej. Kishim kundërshtarë shumë të fortë, të nivelit botëror, si Anglia nesër. Duhet të kemi përqëndrim 100% gjatë gjithë ndeshjes. Në Europian pësuam gola shpejt në ndeshjet ndaj Italisë dhe Kroacisë për shkak të pa përqëndrimit 100% në fushë.

Sa i keni shanset për të kaluar grupin? – Është herët për të folur për shanset. Ndoshta pas katër ndeshjesh mund të përcaktohet më mirë. Por ne nuk do të hyjmë në fushë pa një qëllim. Ne do të japim gjithçka në fushë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme