“Këndi i Fest 63”, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi zbulojnë prapaskenat me artistët në garë

Kulturë | 2 vite më parë

Ngjitja në skenën magjike të Fest 63 nuk ka qenë e lehtë, por një rrugë e mbushur plot sfida për artistët pjesëmarrës në garë. 4 minutat e interpretimit të tyre në skenë janë vetëm “maja e ajsbergut” e ditëve dhe netëve të mbushura me prova, “pluhurin” e skenës, për të arritur nivelin thuajse të përsosur të interpretimit skenik.

Kjo rrugë deri në skenë është e mbushur edhe me plot prapaskena, të cilat në shumicën e rasteve nuk shihen nga sytë e publikut, por që, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi, do t’i zbulojnë menjëherë pas interpretimit të tyre në skenën e Fest 63.

Këndoi e para në Fest 63, Orgesa Zaimi: Emocion shumë i bukur

Këngëtarja Orgesa Zaimi ishte artistja e parë që u ngjit në skenën magjike të Fest 63, ku këndoi “I parë”. Një moment shumë i bukur për këngëtaren ishte edhe fakti që në skenë kishte edhe vajzën e saj, Borën. Në “Këndin e Fest 63”, Orgesa tregon emocionet e përjetuara.

“Ishte shumë emocion. Këngë të cilat frymëzojnë edhe brezat e rinj, ky ishte edhe një nga qëllimet e këngës. Tani secili flet mirë për veten e vet. Të hapësh Festivalin është një përgjegjësi shumë e madhe , por ishte një emocion shumë i bukur”. Edhe publiku ishte shumë i ngrohtë”, tha këngëtarja.

Jo më pak e emocionuar ishte e dhe e bija, Bora.   

 “Ishte shumë bukur, mami këndoi shumë bukur”, u shpreh ajo.

Erma Mici: Isha gati të qaja në skenë, mezi i mbajta lotët  

Erma Mici, e cila këndoi këngën ‘Mbaje’, në pas kuintat e Fest 63, me moderatorët Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi, rrëfeu se për pak sa nuk i janë mbushur sytë me lot kur ishte në skenë. Sipas saj, ishte një ndjesi fantastike që ishte në skenën e Fest 63.

“Para 2 vitesh ka qenë një eksperiencë edhe më e veçantë sepse isha deputuese. Por në çastin që isha në skenë dhe po dëgjoja insertin befas dëgjoj një zë që thërriti ‘Brava Erma’. Isha gati të qaja para se të këndoja. Është një emocion i papërsëritshëm dhe vështirë të gjegj fjalët. Herë pas here ua drejtoja vështrimin edhe prindërve të pranishëm në sallë. Krijuesit kanë bërë një punë fantastike dhe është këngë shkruar për zërin tim. Kërkoj shumë nga vetja, madje jam shumë kritike ndaj vetes.”, tha Mici.  

Babai i këngëtarit Ronaldo Mesuli, flet live me moderatorin Xhahu, menjëherë pas interpretimit: Jam shumë i kënaqur, shumë i surprizuar

Ronaldo Mesuli me këngën ‘N’zemër’, ka përcjellë live edhe emocionet e babait të tij, në një lidhje telefonike që ai zhvilloi në prapaskenat e Fest 63 me moderatorët Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi. Sipas Mesulit, prindërit e tij janë ata që e presin me shumë emocion të veçantë përfaqësimin e tij në fest 63.

“Kam më shumë emocione me ju këtu se sa në skenë. Është magjike që shoh sallën e mbushur të Festivalit, pasi për mua është hera e parë që marr pjesë. Duhej të fokusohesha te kufjet dhe nuk arrija të përqëndrohesha, por isha vërtetë shumë i emocionuar.”, tha Mesuli, i cili më pas bëri edhe një lidhje live telefonike me babain e tij që i thërriste ‘Tata’.

Gjatë bisedës së shkurtër me moderatorin Xhahu, babai i Mesulit tha: “E kanë pritur mirë këngën e Ronaldos. Jam shumë i kënaqur dhe shumë i surprizuar.”  

Grupi ‘Djemtë e detit’: Mos ju kapë zjarri i moshës së mesme se ju djeg fare

Edhe grupi i famshëm i muzikës rock gjatë viteve ’90 ‘Djemtë e detit’, ka ndarë emocionet pas performancës në Fest 63. Ata gjatë një bisede në këndin Fest 63’ me moderatorët Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi, u shprehën u ndjenë shumë mirë gjatë performancës së tyre skenike dhe se u kishin munguar emocionet nga festa e Festivalit.

“E shijuam sepse kishte emocione artistike. Sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë shtohen emocionet tona. Publiku ishte shumë dashamirës. U emocionuam që kishte dhe pak nga kënga ‘Sa shumë që kam gabuar’. Orkestra ishte super dhe ndjehemi mirë. Ne e shikojmë veten në finale të Fest 63. Ju themi se të mos ju kapë zjarri moshës së mesme, sepse të djeg fare. Kishim shumë miq tanë në sallë që na motivuan akoma më shumë. Por  mund të themi se më mirë na pritën ata që nuk na njohin se sa ata që na njohin.”, thanë anëtarët e grupit “Djemtë e detit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme