Këshilli i Evropës prezanton dy sisteme për modernizimin e administratës publike në Shqipëri

Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë njoftoi të premten përmes rrjeteve sociale prezantimin e dy sistemeve kyçe të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në administratën publike shqiptare. Bëhet fjalë për “Regjistri Qendror i Personelit” (HRMIS) dhe “Platforma e Bashkëpunimit”.
Prezantimi u realizua gjatë një takimi të përbashkët me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe me drejtues të Departamentin e Administratës Publike.
“Këto dy sisteme do të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në efikasitetin dhe transparencën e proceseve të burimeve njerëzore, do të lehtësojnë aksesin në informacion dhe dokumente për punonjësit dhe do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve” bëhet e ditur në postim.
“Në kuadër të projektit Mbështetja e Reformës në Administratën Publike në Nivel Vendor në Shqipëri, Këshilli i Evropës do të mbështesë njësitë e burimeve njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit përmes sesioneve dhe materialeve trajnuese, udhëzimeve praktike dhe asistencës direkte në vendin e punës.
Përveç rritjes së efikasitetit dhe transparencës, sistemi i ri do të mundësojë krijimin e një inventari të plotë të administratës publike, duke ofruar të dhëna të vlefshme për politika dhe vendime strategjike të mirëinformuara. Kjo kontribuon në ndërtimin e një administrate më profesionale, të unifikuar dhe moderne në Shqipëri”, përfundon postimi.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




