Kombëtarja U-21 mundet nga Gjermania në “Elbasan Arena”

Kombëtarja | 1 vit më parë

Kombëtarja shqiptare U-21 luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë miqësore të shtatorit ndaj Gjermanisë U-21, në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-2.

Trajneri Bushi e nisi sfidën me këtë formacion titullar: Aron Jukaj (GK), Feta Fetai (c), Zylyf Muca, Elton Fikaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Burak Alili, Ermir Rashica, Etnik Brruti, Aidon Shehu, Enes Osmani.

Pjesa e parë ishte e barabartë. Rasti i parë i rrezikshëm erdhi në minutën e 9-të me Shehun, që provoi me një goditje, por u ndal nga portieri. Në vijim, Gjermania krijoi disa mundësi të mira, por Jukaj reagoi mjaft mirë.

Në minutën e 39-të, Shqipëria ishte pranë golit me një goditje dënimi të fortë të Brrutit, por portieri kundërshtar devijoi në këndore. Pjesa e parë u mbyll pa gola.

Gjermania e nisi pjesën e dytë me 10 zëvendësime dhe kaloi në avantazh në minutën e 48-të me Ansah. Vetëm katër minuta më pas, Pejcinovic dyfishoi rezultatin.

Në minutën e 56-të, trajneri Bushi kreu tre zëvendësime, duke aktivizuar Gudjufin, Tomën dhe Arlind Kurtin.

Pesë minuta më vonë, Shqipëria pati një mundësi të mirë me Alilin, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit.

Deri në fund, kuqezinjtë aktivizuan edhe Përndrecën, Elezajn, Simnicën dhe Markun, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Ndeshja u mbyll 0-2 për Gjermaninë.

Shqipëria U-21 do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore më 8 shtator, ndaj Zvicrës, në orën 18:30, në stadiumin “Brügglifeld” të qytetit Aarau.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme