Kontrolle për sigurinë e mishit në Gjirokastër/Inspektimet do të vijojnë gjatë gjithë verës

Sociale | 3 muaj më parë

Sektori i Veterinarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Gjirokastër ka shtuar kontrollet në terren, për të rritur sigurinë ushqimore dhe kontrollin e mishit që tregtohet në tregje, dyqane dhe subjekte private. Kontrollet po kryhen për të verifikuar kushtet e ruajtjes, dokumentacionin përkatës dhe origjinën e produkteve me bazë shtazore.

“Vëmendja dhe puna jonë gjatë sezonit të verës përqendrohet kryesisht te dyqanet e mishit, tregu i fruta-perimeve dhe tregtarët ambulantë që shesin nëpër trotuare. Ne ndjekim një rutinë të përditshme kontrollesh, veçanërisht në dyqanet e mishit, duke u fokusuar te higjiena dhe pastërtia, pasi gjatë stinës së nxehtë mikroorganizmat zhvillohen më lehtë. Gjithashtu, duke qenë se qyteti pret një numër të madh turistësh gjatë sezonit veror, synimi ynë është të garantojmë një nivel sa më të lartë të sigurisë ushqimore në të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë”, u shpreh Adelina Haxhiaj, veterinere.

Në subjektet ku janë konstatuar shkelje, janë lënë detyra konkrete për përmirësimin e kushteve dhe respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore, ndërsa inspektimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

“Ne u kemi lënë detyra për përmirësimin e mangësive të konstatuara. Gjatë kontrollit të radhës, ne verifikojmë se çfarë është përmirësuar dhe çfarë ende nuk është përmbushur. Deri tani, pothuajse të gjitha subjektet i kanë zbatuar detyrat e lëna. Vetëm dy subjekte kanë ende disa mangësi, por janë në proces të plotësimit të kushteve të kërkuara”, tha ajo.

Qytetarët  këshillohen të tregohen të kujdesshëm në blerjen e mishit dhe produkteve ushqimore, duke u siguruar që ato të jenë të certifikuara dhe të përmbushin standardet e kërkuara.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme