Korrupsion dhe mbështetje ndaj grupeve terroriste, arrestohet kryebashkiaku i Stambollit

Autoritetet turke kanë vendosur në pranga kreun e bashkisë së Stambollit dhe rivalin kryesor politik të presidentit Tajip Erdogan, pasi akuzohet si i përfshirë në korrupsion si dhe ka ndihmuar një grup terrorist.
Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, i Partisë Republikane Popullore (CHP) është nën hetim për dy akuza, njëra për drejtimin e një organizate kriminale dhe tjetra për ryshfet dhe manipulime në tendera.
Nga ana e saj, partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e Imamoglu si “një përpjekje për grusht shteti kundër presidentit tonë të ardhshëm”.
Partia e Imamoglu pritej që brenda pak ditësh ta emëronte atë si sfiduesin kryesor ndaj Erdoganit, i cili drejton Turqinë për më shumë se dy dekadash.
Në një video që shpërndau në llogarinë e tij ‘X’, Imamoglu tha se nuk do të dorëzohej dhe do të vazhdonte t’i bënte ballë presionit, transmeton Reuters.
Sipas një deklarate të prokurorisë së Stambollit, në këtë çështje janë të përfshirë gjithsej 100 persona, gazetarë dhe biznesmenë, të cilët dyshohet se janë implikuar në aktivitete kriminale në lidhje me tenderat e dhënë nga bashkia.
Prokuroria shpjegon më tej se një hetim i dytë nxori në pah se Imamoglu dhe gjashtë të tjerë kanë ndihmuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




