Kosovë- Osmani takon kongresistet amerikane: Partneriteti strategjik me SHBA-në, është shtylla kryesore për stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti të premten në një takim kongresistet, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe delegacionin e Kongresit amerikan.
Në këtë takim, përveç situatës aktuale politike dhe të sigurisë në vend, u diskutua edhe për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas njoftimit për shtyp, presidentja Vjosa Osmani theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ajo nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm.
Presidentja shprehu falënderimet më të thella për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në vendin tonë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira.
Ajo nënvizoi në këtë takim se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë.
Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




