Kush paguan për dëmtimet në kombëtare? Ja sa dhe kur klubet arkëtojnë nga FIFA!

Futboll Bota | 51 minuta më parë

Prej 2012-ës Federata ndërkombëtare ka futur një program për të rimbursuar klubet në rast të problemeve fizike për lojtarët e tyre.

Estupinan, Raspadori, Vergara dhe shumë lojtarë të tjerë janë ndalur nga dëmtimet gjatë grumbullimit me kombëtaret e tyre këtë periudhë. Kjo temë diskutohet gjithmonë, kur një lojtar kthehet në klubin e vet i dëmtuar. Në këtë situatë, kush e paguan faturën? Sepse paga mujore është detyrim i klubit, që realisht nuk mund ta përdorë lojtarin e tij.

Përgjigja, të paktën pjesërisht, është FIFA, nëpërmjet “Club Protection Programme”. Bëhet fjalë për një program të zyrtarizuar në vitin 2012, me një vlerë vjetore 80 milionë euro, që rezervohet për të rimbursuar klubet për humbjet ekonomike që lidhen me dëmtimet e lojtarëve gjatë ndeshjeve ndërkombëtare.

Programi lindi pikërisht për të përballuar këtë disekuilibër. Klubet janë të detyruar t’i vënë lojtarët në dispozicion të kombëtareve, por nuk kanë asnjë kontroll mbi rreziqet që lidhen me pjesëmarrjen e tyre në ndeshjet ndërkombëtare. “CPP” parashikon një kompensim për klubet, kur një profesionist dëmtohet teksa i shërben kombëtares dhe nuk është i gatshëm për klubin.

Programi aktual mbulon periudhën nga 1 janari 2023 deri më 31 dhjetor 2026. Por jo çdo dëmtim në kombëtare gjeneron automatikisht një pagesë nga FIFA. Kushti kryesor është që dëmtimi e detyron lojtarin të mungojë për më shumë se 28 ditë radhazi për klubin. Kjo do të thotë se një lojtar me një diagnozë prej 15 ditësh rikuperim nuk është pjesë e programit.

Programi ka të bëjë me incidentet e ndodhura gjatë “operative time”, që përfshin jo vetëm ndeshjen, por edhe stërvitjet, udhëtimet dhe periudhën kur lojtari është nën kontrollin e kombëtares. Mbulohen edhe infarktet dhe iktuset, ndërsa jashtë mbeten sëmundjet normale, shpenzimet mjekësore, vdekja dhe invaliditeti permanent total.

Ka rregulla specifike për dëmtimet ekzistuese në momentin e grumbullimit dhe ato të mëparshme, me një përjashtim të veçantë të parashikuar për fazat finale të kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare.

Kur rregullat respektohen, mekanizmi mund të bëhet domethënës ekonomikisht. FIFA mund t’i njohë një klubi një detyrim deri në 7.5 milionë euro për lojtar dhe një incident të vetëm, me një kompensim ditor maksimal deri në 20.548 euro. Dhe deri në 365 ditë. Parametri thelbësor është paga fikse e lojtarit. Shifra kalkulohet mbi shumën që klubi i paguan lojtarit.

Përjashtohen në këtë rast komponentët variabël: bonuset, shpëpblimet, numri i ndeshjeve dhe elementë të tjerë. Ka edhe diçka tjetër: 28 ditët e para të kohës së dëmtimit nuk paguhen nga FIFA. Kompensimi nis më pas dhe përfundon kur lojtari është i gatshëm, kur mbaron kontrata, ose gjithsesi pas limitit prej 365 ditësh.

Për shembull: një lojtar me një pagë fikse 5 milionë euro në vit vlen rreth 13.700 euro në ditë. Nëse dëmtohet me kombëtaren dhe qëndron jashtë 100 ditë, FIFA nuk mbulon 28 ditët e para, por 72 ditët e tjera. Rimbursimi teorik për klubin në këtë rast do të ishte rreth 986 mijë euro.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme