Nga ndarja territoriale te interpelancat, çfarë pritet të diskutohet sot në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot (8 tetor), seancën plenare të radhës, me 18 pika në rendin e ditës. Në fokus janë interpelancat me ministrat, ndryshimet administrativo-territoriale dhe ngritja e një komisioni hetimor për shoqërinë shtetërore “KAYO”. Seanca nis në orën 10:00 dhe do të hapet me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit, përpara se deputetët të kalojnë te çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Një nga pikat kryesore është interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në vijim janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Deputetët pritet të shqyrtojnë projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore. Në rend dite janë edhe projektligje për ndryshime në ligjin për bankat dhe sistemin e pagesave, mbrojtjen e mjedisit, treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, markat tregtare dhe patentat.
Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit dhe marrëveshjen Shqipëri–Maqedoni e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar. Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO”.
Sipas dokumentit të Kuvendit, komisioni do të fokusohet në veprimtarinë e shoqërisë lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




