Rama kritika gjyqtarit Demiri: Lejoi hapësirën publike të ishte “tokë e xanun”, cenoi interesin e qytetarëve  

Politikë | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar një tjetër gjyqtar për vendime që cenojnë interesin publik, duke mos lejuar lirimin e hapësirave të zëna publike.

Me një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se gjyqtari Klarent Demiri ka penguar ekzekutimin e vendimeve për çlirimin e hapësirave publike, duke e cilësuar atë si “të vetmin gjykatës” që ka shkuar kundër interesit publik dhe programit të qeverisë për zhvillimin e qyteteve sipas vizionit Shqipëria 2030.

“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria do i drejtohet organeve përkatëse për të hetuar veprimet e gjykatësit Demiri.

“Një gjë është pak po e sigurt: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut.

Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, thuhet në postimin e Ramës.

Më herët, kryeministri ka kritikuar edhe prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, se kishte refuzuar të niste hetimet kur Policia e Shtetit pati raportuar për ndërtime pa leje në qendër të Thethit. Kritikat nuk kanë munguar as për gjyqtarin Hazbi Balliu, duke thënë se po mbron interesat e ndërtuesve të paligjshëm, lidhur me sekuestrimin e një pallati të ndërtuar pa leje në vitin 2022.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme