Malaj: Financat vendore u trefishuan pas reformës territoriale, 4 herë më pak bashki në vështirësi

Reforma territoriale e vitit 2015 në Shqipëri ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes financiare të bashkive 10 vite më vonë, ndërkohë që buxheti i tyre vjetor është trefishuar.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi të premten gjatë një takimi për performancën e qeverisjes vendore se edhe investimet e bashkive janë disafishuar nga viti 2015.
“Sipas vlerësimeve të bëra nga Ministria e Financave, buxheti vendor në vitin 2015 ka qenë rreth 34 miliardë lekë, viti kur filloi reforma territoriale. Në vitin 2025, pjesa e buxhetit vjetor është 89,9 miliardë lekë ose tre herë më i lartë sesa përpara reformës territoriale. Investimet nga burimet e veta, janë rritur po ashtu me tre herë nga viti 2015 nga 8 miliardë lekë në rreth 17 miliardë lekë.
Për sa i përket ecurisë të të ardhurave, edhe këtu kemi një rritje të performancës së bashkive. Të ardhurat vendore nga viti 2015 në 2025-ën janë rritur me rreth 300 milionë euro ose 3,4 herë më shumë. natyrisht pjesën më të madhe në të ardhurat vjetore e zë taksa e ndikimit në infrastrukturë [nga ndërtimet e reja], që zë rreth 42 për qind. Kjo ndiqet nga taksa mbi ndërtesën, rreth 13 për qind, dhe tarifa e pastrimit, rreth 13 për qind,” deklaroi ministri Malaj.
Shifrat zyrtare tregojnë një rendiment më të mirë për sa i përket detyrimeve të prapambetura në nivel bashkish. Stoku i detyrimeve të prapambetura është ulur me rreth 74 për qind, nga 12,1 miliardë lekë në vitin 2015 në 3,2 miliardë lekë në 2024-ën, tha ministri.
Ai gjithashtu renditi disa nga bashkitë me probleme apo në vështirësi financiare, si dhe ndryshimet e vërejtura në 10 vitet e fundit.
“Në vitin 2015 ka qenë mbi 30 e ca bashki me vështirësi financiare, ndërsa në vitin 2024 janë rreth 8 bashki që paraqiten me vështirësi financiare. Bashkitë Vorë, Pogradec, Peqin, Konispol dhe Cerrik paraqiten me probleme financiare, ndërkohë që bashkia e Dimalit, Rrogozhinës dhe Kavajës paraqiten në vështirësi financiare. Bashkia e Vorës dhe e Cerrikut kanë pasur një performancë më të mirë gjatë vitit 2023.
Detyrimet e prapambetura lidhen kryesisht me detyrime që lidhen me vendimet gjyqësore apo për investime dhe vjetërsia e këtyre detyrimeve varion nga 1 në 2 vite,” tha ministri i Financave.
Me performancën më të mirë për sa i përket realizimit të të ardhurave vendore dhe investimeve, pra, që kanë kryer investime mbi 70 për qind të buxhetit të miratuar, janë: Bashkia e Tiranës, Kamzës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, si edhe Lezha për investimet në vitet e fundit.
Ministria e Financave ka sugjeruar të merren masa nga bashkitë me probleme financiare:
- duhet të hartojnë planin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri më 20 korrik;
- dërgojnë planin në Këshill për miratim dhe marrin masat e nevojshme për zbatimin e tij;
- planet e miratuara dërgohen zyrtarisht në Ministrinë e Financës brenda datës 25 korrik;
- realizimi i planit të shlyerjes së detyrimeve brenda 12 muajve.
Masat që duhet të marrin bashkitë me vështirësi financiare:
- kryetari i NJVQV-së duhet të përgatisë planin e rehabilitimit financiar për daljen nga situata e vështirësisë financiare dhe t’ia dërgojë Këshillit të NJVQV-së deri më 20 korrik;
- kryetari i NJVQV-së duhet ta dërgojë këtë plan për komente në Ministrinë e Financave;
- Ministria e Financave jep rekomandime për rregullimin e situatës financiare dhe ia dërgon njësisë brenda datës 25 korrik;
- plani i miratuar dërgohet nga Ministria e Financës në degët e Thesarit për zbatim brenda datës 30 korrik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




