Malësia e Madhe, Berisha: PD ka programin më të mirë për biznesin e vogël dhe familjen shqiptare

Malësia e Madhe ka qenë stacioni i radhës i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Berisha deklaroi se, pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 11 majit, do të hiqen taksat e larta për bizneset e vogla, duke vendosur një kufi maksimal prej 1% të xhiros për këto biznese.
“Kufiri do të jetë i palëvizshëm, dhe nuk do të lejohet që bizneset e vogla të paguajnë më shumë se 1% të xhiros për taksa”, deklaroi Berisha.
“Vij sot tek ju për të paraqitur një program, të cilin nuk e kam paraqitur kurrë në 34 vite. Një program që ne e kemi quajtur programin e Shqipërisë Madhështore. Duket si diçka e stërmadhe, diçka e lartë, por ju garantoj secilit prej jush dhe çdo shqiptar, që është një program më i miri dhe më realisti që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët.”, tha Berisha.
Gjatë prezantimit të kandidatëve Berisha deklaroi se Ramadan Lika dhe Aurel Marku, dhe deputetët e Shkodrës, Vaut të Dejës, Pukës dhe të mbarë Shqipërisë, do të jenë garant absolut të zbatimit të këtij programi në çdo nen dhe çdo premtim të tij.
“Ky program, miqtë e mi, fillon aty ku fillon jeta, dinjiteti, respekti, fillon tek familja. Ne, do të vendosim në piedestal në këtë program familjen shqiptare. Po ta shohësh në shumë anë, kjo Malësi ka pasur shumë anë madhështore, historinë e saj me ngritjen e flamurit për herë të parë në trojet shqiptare. Epikën e hotjanëve, e grudasve kundër padrejtësive të Kongresit të Berlinit. Kryengritjen dhe qëndresën ndaj pushtimit komunist të burrave të kësaj malësie të udhëhequr nga Prekë Cali. Por cilido që do të njohë në thellësi këtë malësi, dhe lexon e studion për të, do të gjejë se gjëja më madhështore që ka kjo malësi është familja shqiptare, familja e saj.”, tha Berisha.
Kreu i PD deklaroi se partia që ai drejton nesër në qeveri, do ta vendosë familjen shqiptare në piedestal.
“Nuk u ndala rastësisht këtu, se një rrymë, një agresion kundër familjes fryu në mbarë botën. Dhe absolutisht nuk kishte asnjë frymëzim tjetër, vetëm frymëzimin marksist, ekstremist marksist. Ne do qëndrojmë, dhe ne i konsiderojmë sa tokësore dhe aq hyjnore familjet dhe vlerat e saj.”, tha Berisha.
Sipas Berishës, shumë shqiptarë janë larguar nga vendi për shkak të varfërisë dhe papunësisë. Berisha premtoi se nuk do të ketë pension nën 200 euro.
“Problemi është se 57% e pensionistëve në Shqipëri marrin një pension nga 67 euro maksimumi 168 euro. Pra, marrin një pension nën 200 euro. Të gjithë pa përjashtim nga vitet e punës, nga çfarëdo lloj faktori tjetër do të marrë 200 euro”, tha Berisha.
“200 euro do marrë çdo i papunë, çdo person në ndihmë ekonomike. Dhe jo vetëm kaq. Secili prej tyre do të ketë kartën e konsumatorit. Të gjitha mallrat që blejnë për ushqime dhe për gjërat bazë do t’i blini më lirë se të tjerët. 20% më lirë. Tvsh-në do ua kthejmë dhe do merrni 450 euro në vit, sipas llogarive të sotme, dhe sa të shkojë për ushqimet pa tvsh”, tha më tej Berisha.
Berisha tha se Shqipëria do ketë listën e rimbursimit të plotë të ilaçeve që ka republika italiane.
Kryedemokrati u shpreh se “rroga minimale nuk do jetë nën 500 euro”.
Sa i takon naftës Berisha tha se “brenda 100 ditëve të para barra fiskale mbi naftën zbret në nivelin e Maqedonisë dhe Kosovën”.
“Kosova e merr naftën nga Durrësi, e shet 40% më lirë në Prishtinë. Kjo merr fund. Nafta nuk do mund të shitet në Shqipëri kurrë më shumë plus minus me çmimin që do të shitet në Kosovë, Maqedoni dhe në vende tjera”, tha Berisha./
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




