Mbështetje për pacientët e Onkologjisë. “Albanians Fighting Cancer USA” prezantoi në Korçë nismat humanitare
Organizata “Albanians Fighting Cancer USA” prezantoi në Korçë veprimtarinë, projektet dhe nismat e saj në mbështetje të pacientëve me kancer, duke vënë theksin te bashkëpunimi me Spitalin Rajonal të Korçës për përmirësimin e shërbimeve onkologjike.
Në aktivitet morën pjesë pacientë, familjarë, profesionistë të shëndetësisë dhe përfaqësues të institucioneve të cilët janë njohur me punën dhe misionin e organizatës.
Themeluesja dhe presidentja e shoqatës, Roberta Panariti, prezantoi projektet e realizuara deri më tani, si edhe objektivat për zgjerimin e mbështetjes ndaj pacientëve dhe forcimin e shërbimeve të trajtimit të kancerit në Korçë.
“Menduam që këtë vit t’i dedikohemi onkologjikut të Korçës, departamentit onkologjik të spitalit të Korçës, sepse kishte nevojë jo vetëm për poltronët e rinj, por dhe për më shumë mjete që ju duhen pacientëve. Pra, dëshira jonë është të ndihmojmë pacientët”, tha Panariti.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe filantropja Fotoni Kokeri, e cila vlerësoi rëndësinë e angazhimit të komunitetit dhe bashkëpunimit me institucionet për të mbështetur pacientët dhe familjet e tyre.
“Patjetër që ne do vazhdojmë dhe unë sot jam këtu dhe të suportoj Robertën për punën e mirë që ka bërë dhe i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohemi”, tha ajo
Përfaqësuesit e organizatës theksuan se do të vijojnë nismat humanitare dhe projektet në mbështetje të spitaleve në Shqipëri dhe pacientëve me kancer, me synimin për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë kauzë.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




