Me Berat Buzhalën për gazetarinë, Gjykatën Speciale dhe raportet Kosovë–Shqipëri

Televizion | 2 vite më parë

Berat Buzhala është një figurë e njohur e jetës publike, i cili lëviz profesionalisht në të dy anët e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Gazetari dhe ish-politikani kosovar, njëherësh themelues i disa medieve në internet, foli me kolegun Mentor Nazarko në Radio Tirana për rolin e medies, ndikimin e politikës, sfidat e pavarësisë gazetareske dhe raportet Kosovë–Shqipëri.

1. Buzhala: “Duhet një CNN shqiptar që mbulon gjithë trojet shqiptare”

Gjatë intervistës në “Nazarko Podcast”, z. Buzhala theksoi nevojën për një media mbarëkombëtare që të mbulojë gjithë hapësirën shqiptare, nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe më gjerë.

“Unë edhe më tutje kam ëndërr dikush me e bë, po jo vetë, një televizion që është si CNN-i, që ka për krejt botën. Një CNN shqiptar, që lajmëron lajmet e Gjirokastrës, lajmet e Prishtinës, të Tetovës… Ne jemi shumë, shumë të shpërndarë gjeografikisht dhe unë mendoj që ka treg, ka edhe marketing dhe duhet të ketë financim për një media që mbulon të gjitha trojet shqiptare.”

2. Kosova po bëhet toksike: “Është e pamundur me mbajt debat normal”

Z. Buzhala shprehu shqetësimin e tij për klimën politike në Kosovë, duke e quajtur atë “toksike” dhe të ngarkuar me konflikte të panevojshme.

“Kosova është bërë pak toksike, që të jemi të sinqertë. Ka një ashpërsi të madhe, një mungesë tolerance dhe një atmosferë ku është e pamundur me mbajt një debat normal. Nëse kritikon qeverinë, je armik. Nëse mbështet qeverinë, je i shitur. Kjo nuk është normale.”

3. Kritika për qasjen e Kurtit ndaj Gjykatës Speciale: “Nuk duan t’u japin asnjë meritë atyre që janë në Hagë”

Duke folur për trajtimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, z. Buzhala tha se qeveria aktuale e Kosovës nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i mbështetur ata.

“Kjo qeveri nuk e ka përdorur për asgjë këtë situatë. Kroacia, për shembull, e përdori ndjekjen e gjeneralëve të saj si një kartë në politikën ndërkombëtare, duke i thënë Perëndimit: ‘Ne bëmë gjithçka që kërkuat, tani na lini të lëvizim përpara.’ Kurti dhe qeveria e tij nuk e bëjnë këtë. Ata nuk duan që t’u japin kurrfarë krediti atyre që janë në Hagë. Përkundrazi, kohë pas kohe, dalin dhe tregojnë sa miliona euro po ju lëshohen avokatëve të tyre, sikur të duan t’i degradojnë edhe më shumë.”

4. Thaçi mund të rikthehet në politikë: “Nuk kam asnjë dyshim”

Gjatë intervistës u prek tema e rëndësishme mundësisë së rikthimit në politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi, pas përfundimit të procesit në Hagë.

“Nuk kam asnjë dyshim që ai do të rikthehet. Shihni se çfarë ndodhi me varrimin e babait të tij. Ai nuk u lejua as të vinte të merrte pjesë në ceremoninë mortore. Krejt kjo është një bizarritet, një absurditet. Kjo ngjarje e rriti simpatinë për Thaçin. Një pjesë e madhe e qytetarëve e shohin si një padrejtësi dhe, kur të lirohet, ai do të kthehet më i fortë se kurrë në skenën politike.”

5. Buzhala për një koalicion PDK-Vetëvendosje: “PDK ka vullnet, por unë nuk besoj”

Berat Buzhala u ndal edhe në spekulimet për një mundësi koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Vetëvendosjes, Buzhala dha një përgjigje të prerë.

“PDK ka vullnet për ta bërë qeverinë me LDK-në dhe AAK-në. Por për të bërë koalicion me Vetëvendosjen? Jo, nuk besoj. Këta janë dy forca që nuk kanë asnjë pikë takimi të përbashkët. Për më tepër, ka një përpjekje ndërkombëtare për të ndaluar Kurtin që të vazhdojë si kryeministër. Ai ka krijuar shumë armiq. Nuk e shoh këtë si një skenar të mundshëm.”

6. Kritika për Vetëvendosjen dhe zgjedhjet: “Albini ka organizuar me aviona votuesit, pastaj akuzon Beogradin për autobusë”

Ai ironizoi qëndrimin e Vetëvendosjes, duke e akuzuar për hipokrizi në lidhje me zgjedhjet e fundit.

“Vetëvendosja e akuzon Beogradin se ka organizuar me autobusë serbët që të vijnë të votojnë. Po çfarë bëri Vetëvendosja? Ata organizuan me avionë shqiptarët e diasporës! Kjo është një logjikë qesharake. Ti akuzon dikë për një gjë që e ke bërë vetë në shkallë edhe më të madhe.”

7. Buzhala: “Nëse bëjmë bashkimin kombëtar, na duhet një plan i qartë”

Z. Buzhala u shpreh për idenë e bashkimit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, por theksoi se kjo duhet të vijë me një strategji të qartë dhe të mirëplanifikuar.

“Nëse bëjmë bashkim kombëtar, na imponohet situata. Nuk mund ta bëjmë thjesht si një slogan patriotik. Unë nuk jam kundër kësaj ideje, por duhet të ketë një plan të qartë ekonomik, politik dhe institucional. Përndryshe, do të përballemi me kaos dhe sfida të mëdha.”

8. Buzhala për Prishtinën si kryeqytet: “Ka qenë një zgjedhje e imponuar nga serbët”

Duke folur për zhvillimin e Kosovës, z. Buzhala komentoi edhe mbi faktin se Prishtina u zgjodh si kryeqyteti i vendit, duke pretenduar se kjo ishte një zgjedhje e imponuar nga autoritetet jugosllave.

“Serbët e kanë piketuar Prishtinën për kryeqytet, sepse ishte më afër Serbisë. Ata kanë dashur ta mbajnë administratën sa më pranë Beogradit. Prishtina nuk kishte asnjë avantazh real krahasuar me Prizrenin, Pejën apo Gjakovën. Në kushte normale, këto qytete e meritonin më shumë të ishin kryeqyteti i Kosovës.”

9. Kritika për klasën e re politike në Kosovë: “Gjysmë jugosllavë, gjysmë jugonostalgjikë”

Berat Buzhala bëri një kritikë të ashpër për elitën politike aktuale në Kosovë, duke e quajtur atë të lidhur më shumë me të kaluarën sesa me të ardhmen.

“Kemi arritur në një pikë ku kjo klasë e re politike është gjysmë jugosllave, gjysmë jugonostalgjike. Ata nuk kanë asnjë lidhje emocionale me Shqipërinë. Më të afërt ndihen me Beogradin e vjetër sesa me Tiranën. E shohim këtë në mënyrën si sillen, si flasin dhe në vendimet që marrin.”

10. Buzhala për politikën e Kosovës: “Kjo nuk është demokraci, është tribalizëm”

Me Mentor Nazarkon në “Nazarko Podcast”, Berat Buzhala bëri një analizë të sistemit politik në Kosovë. Ai e krahasoi atë me një formë moderne të tribalizmit, ku vendimet nuk bazohen në politika të qarta, por në ndarje grupore dhe hakmarrje politike.

“Kjo nuk është demokraci, është një lloj tribalizmi modern. Nuk votohet mbi bazën e programeve apo ideve, por mbi bazën e klaneve dhe grupeve. Njerëzit nuk shikojnë se çfarë është e mirë për vendin, por thjesht zgjedhin një ‘kamp’ dhe mbeten aty, pavarësisht nga realiteti. Kjo është arsyeja pse kemi stagnuar politikisht dhe ekonomikisht.”

Biseda u mbyll me një çështje… “standarde për jostandardin”

Gjuha standard, apo dialekti… dhe Buzhala, përkundër shembullit me Fadil Vokrrin më 1976, kur ai asokohe riosh, fliste pastër e rrjedhshëm shqipen letrare, thotë se “nuk i vjen gjuha letrare… e ka të vështirë ta flasë lirshëm”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme