Mediu: Pa ekonomi solide nuk ka raport me Europën. Qëllimi i Ramës, shkatërrimi i opozitës
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e RTSH 24, ka kritikuar ashpër Kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për mashtrime dhe premtime të rrejshme ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sipas Mediut, premtimi i Ramës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është i pabazuar dhe i pamundur, duke theksuar se ky premtim është një tjetër “tallje” me qytetarët.
“Nuk mund të gjeni në historinë politike shqiptare njeri më mashtrues se Edi Rama. Premtimet që ka bërë janë të rrejshme. Veprimtaria e tij është në të kundërt që ka premtuar. Edhe premtimi i 2030-ës për BE është premtim i rrejshëm i Edi Ramës”, deklaroi Mediu, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian ka të bëjë me standarde ekonomike, lirinë, respektimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat janë çështje thelbësore për çdo shtet europian.
“Anëtarësia në Evropë është standard ekonomik, lirie, respektim ligji, luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto janë çështje shumë thelbësore të cilësuar edhe SHBA dhe BE sa i përket Shqipërisë.
Marrëdhëniet e manipulimit të zgjedhjeve, me krimin e korrupsionin nga ana e qeverisë së Ramës janë evidentuar nga raportet e OSBE-ODIHR. Kjo është një tjetër tallje e Ramës”, theksoi ai.
Ndërsa vijoi me kritikat ndaj qeverisjes së Ramës dhe premtimet e kryeministrit për Shqipërinë e 2030-ës, kreu i Partisë Republikane shtoi se pasaporta nuk bën një individ europian, por dinjiteti dhe liria, të cilat janë shkelur në Shqipëri.
Mediu theksoi se rëndësia e ligjeve nuk është në miratimin, por në implementimin e tyre në përputhje me standardet europiane, dhe se pa një ekonomi të qëndrueshme, Shqipëria nuk mund të ketë marrëdhënie reale me Bashkimin Europian.
Në lidhje me fushatën e tij, Mediu deklaroi se Rama ka pasur një qëllim të qartë: shkatërrimin e opozitës.
“Ai ka përdorur taktika të ndryshme për të manipuluar opinionin publik, duke u fokusuar në tema të pavlera dhe duke shmangur diskutimet mbi çështje thelbësore për qytetarët, si pensionet, edukimin dhe mbështetjen për biznesin. Për Ramën nuk ka rëndësi të flasë për pensionet, minimumin jetik, edukimin, apo mbështetje për biznesin. Ai përpiqet të kthej fushatën dhe opozitën në një debat bosh,” u shpreh Mediu.
Për sa i përket opozitës, Mediu u shpreh se nuk ka ndasi mes partive të opozitës, dhe se të gjithë janë të angazhuar në kontakte të vazhdueshme me qytetarët, duke theksuar se është një luftë e vështirë, por e domosdoshme për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




