Ministri Gogu takon anëtarë të Parlamentit Evropian: Nuk do të humbasim asnjë sekondë, jemi të fokusuar tek agjenda evropiane

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, zhvilloi një takim pune me anëtarë të rëndësishëm të Parlamentit Evropian (PE), përfshirë Marco Tarquinio-n, bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, dhe Andreas Schieder, Raportuesin e PE për Shqipërinë. Takimi vlerësoi përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e dialogut politik dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Gogu vlerësoi lartë rolin qendror të anëtarëve të PE-së si “miq të Shqipërisë” në këtë proces, duke theksuar se qeveria dhe Parlamenti po punojnë intensivisht për të përmbushur pikat afatmesme të integrimit.
Fokusi i palëkundur te objektivi 2027
Ministri Gogu foli edhe për agjendën e brendshme pas mandatit të fituar në zgjedhjet e fundit.
“Nuk do të humbim asnjë sekondë për t’u shfokusuar nga agjenda evropiane. Ambicia jonë është e madhe për masën e madhe të ligjeve që duhen miratuar për të qenë gati për vitin 2027,” theksoi Gogu, duke lënë të kuptohet se fokusi do të jetë te përmbushja e standardeve teknike të nevojshme për anëtarësimin.
Lidhur me marrëdhëniet me opozitën, Gogu theksoi se ndonëse palët kanw njw drejtim “destinacionin evropian të Shqipërisë”, ato ndryshojnë në mënyrën e arritjes së tij.
“Ne do merremi me standardet dhe se si arrihen ato standarde por jo me individët,” u shpreh Gogu, duke lënë të nënkuptohet një qasje e fokusuar tek reforma konkrete dhe jo tek konfliktet personale.
Ai njoftoi se Parlamenti ka funksionuar aktivisht me opozitën, duke ngritur dy komisione thelbësore: atë për reformën zgjedhore dhe atë për reformën territoriale.
Ministri Gogu ritheksoi bindjen se Kuvendi është hapësira e duhur për opozitën për të kritikuar politikat qeveritare, por jo për të vënë në shënjestër individë në krye të institucioneve. Si shembull, ai theksoi: “Opozita mendon se i bën nder reformës në drejtësi duke i bërë gjyqin një kryeprokurori.”
Në fund, Gogu konfirmoi se Kuvendi luan një rol qendror jo vetëm në mbikëqyrjen e reformave, por edhe në ecurinë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




