Miratohen kriteret dhe procedurat për përfshirjen e OSHC-ve në kujdesin alternativ në familje

Shëndet | 2 muaj më parë

Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton kriteret, procedurat dhe mënyrën e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në mbështetjen e shërbimeve të kujdesit alternativ në familje. Akti nënligjor, i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në mbështetje të ligjit “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, synon garantimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës.

Sipas vendimit, OSHC-të do të mund të ofrojnë mbështetje teknike pa të drejtë vendimmarrjeje, duke mbështetur bashkitë në identifikimin e fëmijëve dhe familjeve në nevojë, përgatitjen e shërbimeve, si dhe në trajnimin e vazhdueshëm të familjeve kujdestare.

Kriteret rigoroze për organizatat

Për t’u bërë pjesë e këtij sistemi, organizatat e shoqërisë civile duhet të përmbushin një sërë kushtesh të detyrueshme, të cilat do të vlerësohen nga një komision i posaçëm i ngritur me urdhër të kryetarit të çdo bashkie.

Përvoja dhe stafi

Organizatat duhet të kenë jo më pak se 5 vjet përvojë të dokumentuar në fushën e mbrojtjes së fëmijës ose shërbimeve sociale, si dhe një ekip multidisiplinar të përbërë të paktën nga punonjës socialë ose psikologë të licencuar.

Aspekti ligjor dhe licenca

Të jenë të regjistruara sipas ligjit, të kenë në objektin e veprimtarisë mbrojtjen e fëmijës, të mos jenë në procedura falimentimi dhe të zotërojnë licencën përkatëse për shërbime shoqërore.

Integriteti dhe siguria

Të zbatojnë procedura strikte për verifikimin e figurës së stafit për punën me fëmijët, si dhe të disponojnë politika të brendshme për konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Kapacitetet financiare

Të dëshmojnë aftësi menaxhuese të fondeve publike ose të donatorëve dhe qëndrueshmëri financiare gjatë periudhës së kontraktimit.

Procedurat e bashkëpunimit dhe roli i bashkive

Përfshirja e OSHC-ve do të realizohet përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit me njësitë e vetëqeverisjes vendore ose thirrjeve publike transparente për prokurim shërbimesh.

Vendimi nënvizon qartë se përfshirja e OSHC-ve nuk cenon kompetencat e bashkive: autoriteti përfundimtar për vlerësimin, vendimmarrjen dhe miratimin e masave të kujdesit alternativ i mbetet tërësisht pushtetit vendor. Bashkitë do të mbajnë gjithashtu një regjistër të posaçëm për organizatat e përfshira dhe do të raportojnë periodikisht pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të mbulojë koordinimin në nivel kombëtar, ndërsa Shërbimi Social Shtetëror do të ofrojë mbështetjen metodologjike dhe do të monitorojë cilësinë e shërbimeve të ofruara nga shoqëria civile.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme